Mbrojtësi i Flamurtarit tregon planin për Superioren. “Provokon” Deliaj: Dua Laçin për “play off”-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2024 | 9:26

Mbrojtësi i Flamurtarit tregon planin për Superioren. “Provokon” Deliaj: Dua Laçin për “play off”-in

Flamurtari ka një mbrojtje solide. Për Fjoralb Deliajn mospësimi i shumë golave është meritë e të gjithë skuadrës. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, mbrojtësi vlonjat që hapi serinë e golave në ndeshjen me Tomorin, thekson se skuadra është e motivuar dhe me “këmbë në tokë”.

deliaj

Çdo ndeshje për Deliajn është si finale, ndërsa kërkohet fitorja edhe me Burrelin. Në “play off”, do të donte Erzenin, por në kushtet që e shikon të pamundur, dëshiron Laçin.

Deliaj si ndiheni pas golit që shënuat në ndeshjen me Tomorin, ku edhe hapët rrugën për atë fitore në shifrat 4-1?

Shumë mirë. Detyra ime është të mbroj, por jam dyfish i gëzuar kur shënoj. Gjithçka i shërben ekipit për arritjen e objektivit madhor.

Si ishte motivimi i skuadrës në këtë ndeshje jashtë fushe?

Motivi ishte i njëjtë si edhe në ndeshjet e kaluara. Trepikëshi që morëm ishte i rëndësishëm, por nuk ishte edhe aq e lehtë. Kur ndeshja ishte 2-1, Tomori na vendosi disa herë në vështirësi. Te goli i tretë pastaj gjërat erdhën më të lehta dhe skuadra u lirua më shumë.

Mendoni se ka eufori në këtë skuadër?

Trajneri Eqerem Memushi nuk na lë që të na kap euforia. Jemi një skuadër me “këmbë në tokë”.

Po Lejdi Liçaj si e drejtoi skuadrën në pankinë?

Edhe profesor Liçaj e drejtoi shumë mirë ndeshjen. Na motivonte gjithë kohës dhe fliste me lojtarët. Ai edhe na njeh më shumë, pasi ka një kohë të gjatë me ne dhe di se çfarë cilësish kemi.

Flamurtari ka një mbrojtje që nuk pëson shumë gola. E shikoni si meritë tuajën këtë?

Nuk është vetëm merita ime apo e mbrojtjes si repart. Mbrojtja nis nga reparti sulmues e me radhë, kështu që na ndihmojnë të gjithë shokët. Disa ekipe qëndrojnë të mbyllura mbrapa dhe ne nuk kemi shumë punë. Pastaj kur ke lojtarë si Frashëri, Sidibe, Batha dhe Pjeshka, të cilët na ndihmojnë, është më e lehtë për mua si mbrojtës për të nxjerrë një ndeshje të mirë.

Nëse nuk ngjiteni në Superiorja nga dy vendet e para, kë skuadër do të donit në “play off” nga elita?

Edhe pse mendoj se nuk është e mundur, do të doja Erzenin. Por besoj se është ekipi që do të bjerë nga kategoria bashkë me Kukësin. Do të thosha se do të doja Laçin. Mendoj se Teuta dhe Skënderbeu kanë diçka më shumë se Laçi.

Ndeshja e radhës me Burrelin. Çfarë prisni?

Çdo ndeshje për ne është si finale. Kështu që do të japim maksimumin edhe në këtë ndeshje. Nga çdo ndeshje duhet të nxjerrim maksimumin.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"