Mbrojtësi i Dinamos: Laçi luan futboll agresiv, por do të japim maksimumin për të marrë fitoren! E meritojmë 4-shen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2024 | 15:56

Mbrojtësi i Dinamos: Laçi luan futboll agresiv, por do të japim maksimumin për të marrë fitoren! E meritojmë 4-shen

Dueli në distancë me Tiranën për vendin e 4-t duket se do të vazhdojë deri në javën e fundit të kampionatit.

DINAMO STERVITJE

Këtë fundjavë Dinamo ka një shans të mirë për ta parakaluar rivalin, që përballet me Partizanin në derbi, por më parë blutë duhet të fitojnë ndeshjen e tyre ndaj Laçit. Kryeqytetasve u duhen patjetër 3 pikët për të pretenduar deri në fund të marrin pjesë në “Final 4”. Laçi është një kundërshtar, ndaj të cilit Dinamo ka një bilanc pozitiv në kampionat, me dy fitore dhe një barazim. Të vetmen humbje ndaj kurbinasve skuadra e trajnerit Mehmeti e ka pësuar në Kupën e Shqipërisë.

MARKU – Albion Marku, një nga lojtarët me eksperiencë të Dinamos, beson se skuadra do të dijë të reagojë pas humbjes së fundit me Partizanin. “Në futboll duhet të kesh edhe pak fat. Ne humbëm me Partizanin, ku nuk patëm fatin për ta barazuar rezultatin me penalltinë që fituam në fundin e pjesës së parë. Nëse do të barazonim, ndeshja mund të merrte një rrjedhë tjetër, por tani ajo që ka kaluar nuk kthehet më dhe duhet të shohim vetëm përpara. Besoj se do të kthehemi te fitorja, do të mundohemi t’ua bëjmë shërbimin deri në fund të gjitha ndeshjeve që kanë mbetur nga ky sezon”, ka thënë mbrojtësi i djathtë i Dinamos për “Panorama Sport”.

LAÇI – Për sfidën e së shtunës me Laçin, fanellën e të cilit e ka veshur disa vite më parë, Marku thekson se Dinamo do të kërkojë vetëm trepikëshin: “Laçi është një ekip i fortë dhe duhet vlerësuar drejt. E dimë që luan një futboll agresiv në çdo moment të ndeshjes dhe duhet kujdes. Ne do të japim maksimumin tonë për të marrë fitoren, që ka shumë rëndësi në këtë moment. Duhet të bëjmë lojën tonë me besimin në vetvete për të marrë rezultatin maksimal. Kundërshtari me mungesa? Edhe ne kemi mungesa, por këto janë pjesë e kampionatit. Mendoj se duhet të përqendrohemi tek ajo që duhet të japim në fushë, jo në faktorë të tjerë. Objektivi i vetëm kundër Laçit është fitorja”, shton futbollisti blu.

“FINAL 4” – Për Markun, Dinamo meriton të shkojë në “Final 4” me këtë sezon që po zhvillon: “Duke pasur parasysh si ka shkuar kampionati dhe atë që kemi bërë, mendoj se Dinamo duhet të jetë mes 4 më të mirëve në fund të kampionatit. E meriton. Siç e thashë, do të mundohemi të marrim më të mirën në këto 4 ndeshje të mbetura dhe shpresoj të kemi edhe pak fat. Impenjimi ynë do të jetë në shkallën më të lartë, pastaj do të shohim ndeshje pas ndeshjeje e në fund do të bëjmë llogaritë. Do të theksoj se Dinamo ka një skuadër me vlera dhe nëse shkojmë në “Final 4” do të ishte diçka shumë pozitive për këtë skuadër, për presidentin, për klubin dhe për të gjithë ne lojtarët. Nuk kemi presion, përkundrazi, kemi mbështetje nga të gjithë për të ecur përpara. Për këto arsye kam besim se mund të jemi mes 4 të parëve në fund të kampionatit”, ka përfunduar mbrojtësi 23-vjeçar. Këtë sezon Marku ka luajtur 29 ndeshje me fanellën e Dinamos.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"