Mbrojtësi Endrien Magani: Ndeshje e rëndësishme, Lushnja gati që ta kalojë Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2024 | 16:23

Mbrojtësi Endrien Magani: Ndeshje e rëndësishme, Lushnja gati që ta kalojë Korabin

Lushnjarët janë në momentin më të mirë të sezonit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gugash Magani vijon përgatitjet për ndeshjen me Korabin. Një sfidë e vlerësuar nga verdhejeshilët, që synojnë vendin e gjashtë. Skuadra lushnjare ka vënë kandidaturën për t‘ua marrë këtë vend dibranëve, pikërisht në duelin e drejtpërdrejtë me ta që do të luhet në Peshkopi.

endrien magani lushnja

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” një nga “veteranët” e verdhejeshilëve, mbrojtësi i krahut të djathtë Endrien Magani deklaroi: “Është një ndeshje e vështirë, pasi Korabi ka një ekip që kërkon vlerësim maksimal. Ne shkojmë në Peshkopi të bëjmë lojën tonë dhe të marrim një rezultat pozitiv. Ne jemi të vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit aq më shumë që dihet se ka shkuar dy herë radhazi në fazën ‘play-off’.

Gjithsesi, Lushnja beson edhe te forca e saj. Jemi një ekip që punojmë mirë dhe e vlerësojmë shumë javën stërvitore. Pas një pune të përkushtuar, bindim veten se mund të fitojmë çdo ndeshje. Pastaj, në fushën e lojës, në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Kjo është një ndeshje e rëndësishme për Lushnjën dhe ne jemi gati që të shprehim të gjitha mundësitë tona. Të tregojmë më të mirën që ka ekipi dhe në fund të realizojmë synimet”.

ALBAN ALUSHI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"