“Mbape te Reali”, “Bild” publikon “bombën” e merkatos dhe shifrat e çmendura për francezin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2024 | 22:33

“Mbape te Reali”, “Bild” publikon “bombën” e merkatos dhe shifrat e çmendura për francezin

Kilian Mbape ka zgjedhur Real Madrid. Ky është lajmi i bujshëm që ka publikuar sot “Bild”, me burime pranë lojtarit që kanë zbuluar të gjitha detajet e një transferimi që mund të ndryshojë panoramën e futbollit europian .

mbape

Sipas tabloidit gjerman, francezi ka vendosur që në verë të kalojë nga PSG dhe të shkojë te Reali, edhe pse në fakt palët nuk kanë gjetur ende një akord financiar. Ai synon që të fitojë Ligën e Kampioneve me madrilenët dhe të hyjë në histori si një nga më të mirët e historisë së futbollit botëror, teksa është i ndërgjegjshëm që te PSG nuk mund ta arrijë një status të tillë.

Financat mbeten problemi kryesor i këtij plani, Familja Mbape merr mes rrogave, të drejtave TV dhe komisioneve rreth 200 milionë euro në vit nga PSG. Ai kërkon që të përfitojë shifra të ngjashme në të ardhmen dhe kjo ka bërë që Liverpuli, klubi tjetër që interesohet për të, të tërhiqej nga gara.

Në kërkesën e tij për Real Madrid, Mbape ka bërë të qartë se synon një rrogë prej 70 milionë eurosh në vit. Përveç kësaj, meqë do të transferohet me parametër zero, kërkohet rreth 100 milionë euro në vit pagesë në momentin e firmës për futbollistin, si dhe komisione për të ëmën, Fajza Lamari, e cila është njëkohësisht menaxherja e tij. Në total, shifrat e marrëveshjes pritet të kalojnë 400 milionë euro për familjen Mbape kur të firmoset kontrata pesëvjeçare.

Por kjo është ajo që kërkon familja Mbape, pasi presidenti i Real Madrid, Florentinio Perez, është shumë i kujdesshëm me financat dhe nuk ka ndër mend të bëjë çmenduri. Ndaj ai i ka ofruar 35 milionë euro në vit bruto sulmuesit si rrogë, si dhe synon të ulë ndjeshëm kërkesat e tjera financiare.

Palët janë ende në diskutime por “Bild” insiston se ekziston dëshira për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të mbyllur sa më parë këtë çështje, në mënyrë që të mos kthehet përsëri në “telenovelë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"