Matjanët me fushë të re stërvitore, merr emrin e legjendës Dali Farruku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2023 | 21:38

Matjanët me fushë të re stërvitore, merr emrin e legjendës Dali Farruku

Nuk ka pasur pushim për matjanët. Menjëherë pas fitores ndaj Besës, skuadra i është rikthyer punës. Përgatitjet kanë vijuar në fushën më të re që është shtuar në qytet dhe ndodhet pranë stadiumit “Liri Ballabani”.

burreli

Është një investim i ri, që nuk do t’i shërbejë veç ekipit të parë, por edhe atyre zinxhir. Këtë e sqaron për “Panorama Sport”, Marjan Lleshaj, sekretari i klubit: “Fusha e re është ndërtuar në sajë të bashkëpunimit, mes bashkisë së qytetit dhe FSHF-së. Ky investim do të shërbejë jo vetëm për përgatitjen e skuadrës së parë, por dhe për skuadrat zinxhirë që aktivitetet e tyre i zhvillojnë brenda prefekturës së Dibrës”. Fusha e sapondërtuar ka marrë emrin e ikonës së futbollit matjan, Dali Farruku. E megjithatë, në plan është që të ndërtohet edhe një tjetër. Sakaq, skuadra ka “arkivuar” fitoren e fundit dhe janë përqendruar te kundërshtari i radhës. Tani i pret “malorja”, pasi do t’u duhet të matin forcat me Elbasanin. Dorjan Bubeqi beson fort te vazhdimësia dhe si për të karikuar grupin, nuk i kursen as fjalët e mira. “Ndeshja ndaj Besës ishte një nga më të mirat që kemi zhvilluar deri më tani. Gjithçka funksionoi mirë. Dëshira dhe grinta ishin elementet kryesore ku u bazua loja jonë. Në këtë ndeshje, aktivizimi i disa të rinjve mori vlerësim pozitiv”, tha mes të tjerash trajneri.

NDERIM GOCI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"