Mateo Shanaj: Apolonia mendon për objektivin në “play off”, me tifozët e kalojmë Bylisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2024 | 15:43

Mateo Shanaj: Apolonia mendon për objektivin në “play off”, me tifozët e kalojmë Bylisin

Apolonia vijon përgatitjet me intensitet për ndeshjen e radhës me Bylisin, që do ta luajnë të dielën në “Loni Papuçiu”, në orën 15:00. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori Mateo Shanaj analizon gabimet e bëra ndaj Elbasanit, teksa tregon se asgjë nuk ka mbaruar sa i përket objektivit sezonal.

SHANAJ APOLONIA

Ai është i bindur se skuadra do të ngrihet psikologjikisht dhe të lërë pas humbjen e fundit.

Shanaj, humbja me Elbasanin, sa e vështirë është për t’u kapërdirë?

Një ndeshje e humbur që rëndon, por nuk është nga disfatat e hidhura që të ulin “hovin”. Mendoj kështu, pasi paraqitja jonë në Elbasan ka qenë nga më të mirat. Zhvilluam një takim të mirë dhe meritonim të merrnim më shumë. Luanim ndaj ekipit kryesues që ka bërë një kampionat shumë të mirë, por diferencat në fushë nuk u ndjenë. Pas një humbje të tillë është thjesht shija e keqe që mbetet te grupi. Po mundohemi në këtë seanca stërvitore që ta harrojmë dhe të mendojmë për Bylisin.

Çfarë ndodhi dhe ku gaboi ekipi në “Elbasan Arena”?

Elbasani na goditi atje ku ai ka pikën e tij të fortë, lojën në ajër. Edhe ne jemi të fortë, por duket se nuk i bëmë mirë detyrat tona në prapavijë. Në futboll duhet të kesh edhe pak fat, që nuk na ndihmoi në ndeshjen e fundit, ku patëm 3-4 raste të pastra për shënim, ku në dy raste gjetëm traversën. Besoj se kjo ndeshje do të na ndihmojë për t’u rritur më shumë dhe për të na dhënë besim për 4 ndeshjet e mbetura.

A besoni deri në javën e fundit tek arritja e objektivit sezonal?

Gara e përjavshme për pozicionet në renditje do të vijojë njësoj deri në javën e fundit të kampionatit për të gjitha ekipet. Nuk mendoj se është mbyllur gjithçka. Apolonia synon vendin e 4-t që të kemi dy favore në “play off”, faktorin fushë dhe pranimin e dy rezultateve.

Është radha e Bylisit, që e prisni. Sa e vështirë është kjo ndeshje?

Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi luajmë kundër një ekipi që është në garë për titullin dhe që nuk është dorëzuar për vendin e parë. Do të bëjnë gjithçka për tri pikët, por edhe Apolonia po lufton fort për vendin e katërt. Do të jetë një ndeshje e hapur dhe shumë e luftuar, ndonëse me objektiva të kundërt. Në këtë takim padiskutim që do të kërkojmë fitoren dhe jemi të fokusuar vetëm tek synimet tona.

Pra, fitorja është detyrim në “Loni Papuçiu”?

Po e përgatisim më së miri këtë derbi dhe do të kërkojmë si në çdo takim tjetër maksimumin e mundshëm. Luajmë në shtëpinë tonë dhe normalisht jemi të detyruar të bëjmë shumë mirë për të kënaqur tifozët tanë të mrekullueshëm. Jam shumë i bindur që do të na mbështesin ndaj Bylisit duke krijuar një super atmosferë në këtë ndeshje derbi.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"