Marku karikon Korabin: Ia dalim sërish me kavajasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2023 | 11:16

Marku karikon Korabin: Ia dalim sërish me kavajasit

Korabi i Peshkopisë, pasi ka eliminuar Besën me shumë vështirësi nga Kupa e Shqipërisë, të dielën ka një tjetër përballje me kavajasit, këtë herë për llogari të kampionatit në fushën asnjanëse të Luzit, aty ku verdhezinjtë janë pritës. Marku

Trajneri Shpend Kumbarçe bëri rotacion në mesjavë, duke lënë në stol pesë titullarë si Avernold Qyrani, Henri Marku, Sokol Mziu, Skënder Lilaj dhe Erjon Dragoj. Për të ruajtur energjitë në ndeshjen e kampionatit, kreu i pankinës la pushim bazën e skuadrës, me synimin që të merret maksimumi edhe të dielën. Mesfushori 23- vjeçar, Henri Marku, që luan sezonin e dytë në Dibër, është optimist për një tjetër sukses kundër Besës. Në një bisedë për “Panorama Sport”, lojtari i lindur në Angli (Londër) foli për ecurinë personale, si dhe pritshmëritë që ka për objektivat e skuadrës.

“Ky është viti i dytë te Korabi dhe pas një fillimi pak të vështirë, me kalimin e javëve u ambientova. Fitova besimin e trajnerit për një vend në formacion dhe po bëj maksimumin tim. Vijmë pas kualifikimit në Kupë ndaj Besës dhe tashmë na pret një ndeshje tjetër ndaj tyre, që do të jetë edhe më e fortë. Gjithsesi, unë kam besim se do të marrim një rezultat pozitiv. Deri tani kemi zhvilluar ndeshje të mira, duke pasur seriozitetin e duhur. Synojmë të mos i shkëputemi gjashtëshes së parë”, ka thënë Marku.

Ndërkohë, vetë trajneri Kumbarçe, shkurtimisht për gazetën para ndeshjes me Besën, u shpreh: “Pres të jetë një ndeshje e fortë, për vetë pozicionin që mbajnë të dyja skuadrat në tabelën e klasifikimit. Gjithsesi, ne do të bëjmë lojën tonë për të marrë më të mirën nga kjo transfertë delikate që kemi”.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"