“Mandatet në bashki”, flet ish-financieri i klubit: Dokumentacioni i Uzunit ndodhet në arkiv, për Bitrin s’di gjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2023 | 13:06

“Mandatet në bashki”, flet ish-financieri i klubit: Dokumentacioni i Uzunit ndodhet në arkiv, për Bitrin s’di gjë

Ishte e pamundur që të merrje një reagim për akuzat e ngritura nga Spartak Ajazi në “Panorama Sport”. Administratori deklaronte se në arkivin e klubit të futbollit Tomori, nuk ka gjetur asnjë dokumentacion për transferimin e Myrto Uzunit në janarin e 2015- ës tek Apolonia dhe atë të Eno Bitrit te Partizani në korrikun e 2017-ës.

UZUNI BITRI

Ndonëse ka kërkuar prej kohësh që të gjejë ndonjë të dhënë, qoftë edhe fotokopje, nuk ia ka dalë. Fierakët kanë paguar një shumë prej 400 mijë lekësh të rinj për kartonin e sulmuesit dhe familjarët e ish-kapitenit 300 mijë lekë të rinj, e megjithatë mandatet janë “zhdukur”.

REAGIMI I ISH-FINANCIERIT – Edhe pse asnjë nga ishdrejtuesit e atyre viteve nuk ka preferuar që të flasë mbi këtë temë, gazeta ka siguruar deklaratën e ish-financierit të klubit të futbollit Tomori. Jemi duke folur për Jani Semanin, që aktualisht ndodhet në SHBA. Gjatë një lidhje telefonike, ai jep variantin e tij për këtë rast, që ka shkaktuar jo pak “jehonë” në Berat. Ish-financieri pretendon se dokumentacioni për Myrto Uzunin ndodhet në arkivin e bashkisë dhe asnjë nuk mungon, ndërsa për Eno Bitrin nuk ka asnjë dijeni.

“Përshëndetje! Ju uroj shëndet të plotë fillimisht. Kam ndjekur shkrimin e sotëm (të së hënës) në gazetën tuaj dhe më duhet të jap një sqarim për të gjithë opinionin. Letrat për rastin ‘Uzuni’, si kontrata dhe mandatpagesa, ndodhen në arshivën e bashkisë. Ndërsa për Bitrin nuk di asgjë, për sa kohë nuk kam qenë unë. Për Uzunin, letrat janë në bashki”, mbyll sqarimin e tij financieri i njohur dhe ekonomisti, Jani Semani. Gazeta ka insistuar gjatë ditës së hënë që të njihet me letrat e arkivuara në Bashkinë Berat, por jemi ende në pritje…

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"