Maliqi/ Përballja me Erzenin, Malësija përgatit… “bunkerin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2022 | 12:00

Maliqi/ Përballja me Erzenin, Malësija përgatit… “bunkerin”

Maliqin e pret një “malore” e fortë. Java e 20-të i çon mysafirë në Shijak, atje ku do të përballen me pretendentët e Erzenit. Juglindorët vijnë në këtë duel pas fitores me shifrat 2-1 në shtëpi ndaj Shkumbinit.

maliqi

Ai sukses erdhi në sekondat e fundit dhe ka rritur ndjeshëm optimizmin në ekip, edhe pse në kampin maliqar janë koshientë për cilësitë e kundërshtarëve.

Vlen të theksohet se skuadra e Nevil Dedes, në duelin e fazës së parë të zhvilluar në Bilisht, triumfoi me rezultatin 0-4 ndaj Maliqit.

Pavarësisht diferencave në renditje që këto dy ekipe kanë, gjatë gjithë javës fokusi i stërvitjes ka qenë në repartin difensiv.

Stafi teknik ka kërkuar përqendrim maksimal nga reparti i mbrojtjes dhe portieri, për të tentuar qoftë edhe 1 pikë ndaj shijakase. Trajneri Egli Malësija nuk do të ketë në dispozicion dy futbollistët titullarë, Paolo Ivani dhe Vasil Tuni.

I pari për shkak kartonësh, ndërsa i dyti si pasojë e një dëmtimi që ka pësuar së fundmi. I padisponueshëm fizikisht është edhe mbrojtësi Lion Ndoci, që në fakt po bën një kohë të gjatë jashtë fushave.

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"