Magani shuan çdo dilemë: I thashë zyrtarisht “po” Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2023 | 23:46

Magani shuan çdo dilemë: I thashë zyrtarisht “po” Lushnjës

Ka ditë që është arritur akordi, por askush nuk ka dalë ta konfirmojë. Me prezantimin që është planifikuar për ditën e nesërme, klubi nuk e pa të udhës që të dilte me një komunikim zyrtar. E megjithatë, mendon Gugash Magani që të shuajë që të gjitha dyshimet.

MAGANI 1

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai konfirmon se do të jetë ai trajneri i Lushnjës për sezonin e ri futbollistik. Nuk ka dashur që të japë shumë detaje, pasi ato do t’i zbardhë të mërkurën, e megjithatë lajmin që prisnin tifozët e dha.

“Kam pasur kontakte me Lushnjën. Janë të vërteta lajmet që kanë qarkulluar këto ditë. Dhe kam pranuar. I thashë ‘po’ ofertës se klubit dhe do të jem unë ai që do ta drejtoj ekipin për sezonin e ardhshëm. Kemi rënë dakord dhe gjithçka është e mbyllur.

Prezantimi im do të bëhet ditën e mërkurë. Atë ditë do të shpjegohem për të gjitha, arsyet që më sollën këtu, synimet dhe shumëçka”, deklaroi për gazetën peqinasi, që kampionatin e fundit drejtoi Besën e Kavajës dhe më herët ka drejtuar skuadra si Shkumbini, Flamurtari, Teuta, Tirana, Egnatia dhe pa harruar Trepçën në Kosovë. Për të parën herë në karrierë do të drejtojë Lushnjën, duke i shtuar vetes në CV skuadrën e tetë.

PRETENDIMET – Lushnja është lodhur në inferiore. Po hyn në sezonin e gjatë në Kategorinë e Parë, ndaj këtë vit diçka do të ndryshojë. Ky është plani fillestar. Do të kërkohet ngjitja në elitë. Por që kjo të ndodhë duhet patjetër merkato.

Drejtuesit çdo vit kanë bërë afrime, por cilësia ka munguar. Dhe kjo është lehtësisht e vërtetueshme prej bilancit final, kur me vuajtje kanë siguruar mbijetesën. Për të joshur lojtarët e duhur, duhet “CASH” dhe jo vetëm rroga.

Kjo gjë duket se do të ndryshojë gjatë kësaj vere. Për të bindur futbollistët që t’i bashkohen Lushnjës, këtë herë kontrata do të jenë më të majme. Për Gugash Maganin nuk do të jetë aspak verë e lehtë, pasi ekipi ka skaduar i gjithi. E thënë troç, duhet t’ia nisë nga zeroja. Nuk përjashtohet mundësia që disa nga elementët që mbyllën kampionatin e fundit të rinovojnë, por shumica do të vijnë si përforcime.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"