Luzi me 10 lojtarë i jep leksion Burrelit dhe lë fundin, ja çfarë thanë dy trajnerët pas ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2024 | 14:31

Luzi me 10 lojtarë i jep leksion Burrelit dhe lë fundin, ja çfarë thanë dy trajnerët pas ndeshjes

Luzi 2008 është rikthyer te fitorja, pas humbjes së thellë në Elbasan javën e shkuar. Ndaj Burrelit fitorja është e veçantë sepse luznjakët mbetën nga minuta e 28-të me 10 futbollistë në fushë. Qendërmbrojtësi Serxhio Xhika u ndëshkua me të kuq. Më shumë se sa një trepikësh që mban gjallë shpresat e Luzit për mbijetesë, kjo fitore tregoi Luzin që presidenca e stafi prisnin.

luzi burreli

Loja e luznjakëve në këtë takim ishte më e mira taktikisht. Kështu, Luzi merr zemër e do të luftojë deri në javën e fundit për t’i shpëtuar rënies nga kategoria. Që në minutat e para, të dy ekipet shfaqin hapur dëshirën për ta fituar këtë takim, ku rastet nuk munguan në portat respektive. Në të 28-ën, gjatë një kundërsulm të Burrelit, qendërmbrojtësi Xhika si lojtar i fundit frenon avancimin e Zanit dhe ndëshkohet me karton të kuq.

Në të 32-n matjanët fitojnë një penallti, por Stana gabon nga pika e bardhë, pasi topi u prit nga portieri i Luzit. Ndonëse me një lojtar më pak, Luzi arrin të shënojë dy gola në pjesën e dytë, ku në të 82-ën Treni shënon golin e parë, ndërsa Mandela në minutën e dytë shtesë vulos rezultatin në shifrat 2-0.

Pas ndeshjes trajneri i Luzit, Gëzim Bushi u shpreh: “Ishte më shumë se sa një fitore kjo ndaj Burrelit, ku ekipi tregoi dëshirë dhe shpirt gare të paparë. Të fitosh, madje pastër 2-0, me 10 vetë nuk është e lehtë ndaj askujt. Me këtë fitore treguam se meritojmë të jemi pjesë e Kategorisë së Parë dhe do të vijojmë të besojmë deri në fund”.

Ndërsa trajneri Hima i Burrelit tha: “E dinim që Luzi do të na hapte punë. Patëm rastin ‘e artë’ me penalltinë dhe 3 raste të tjera ideale për të shënuar. Nuk ditëm ta shfrytëzonim epërsinë numerike. Nëse ne falëm gola, Luzi bëri të kundërtën. U tregua cinik dhe na ndëshkoi. Ishte një humbje që nuk e merituam, por ky është futbolli dhe duhet ta pranojmë”.

Feriz Ferizaj-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"