Lushnja nuk gjen rehat, derbi ndaj Apolonisë luhet në “Elbasan Arena”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2023 | 22:39

Lushnja nuk gjen rehat, derbi ndaj Apolonisë luhet në “Elbasan Arena”

Lushnja nuk gjen rehat me stadiumin. Nëse të martën e ndanë mendjen për t’u strehuar në Peqin, dje kanë ndryshuar mendje. Në kërkim të një fushe më të mirë për të nisur sezonin, kanë negociuar me “Elbasan Arenën”. Dhe akordi nuk ka vonuar në fakt, teksa dje është zyrtarizuar se do ta luajnë aty derbin me Apoloninë. Është caktuar e diela e 3 shtatorit si dita për ta zhvilluar këtë përballje, që verdhejeshilët me zor po e presin.

ELBASAN ARENA

Lajmi u konfirmua për gazetën nga administratori Marius Liçka. Ndërkohë, që skuadra vijon përgatitjet për javën e parë të Kategorisë së Parë. Në fushën sportive të Plugut, Gugash Magani po merret me detajet e fundit të këtij 90-minutëshi.

Nëse Oltjan Haremi nuk është gati për shkak dëmtimi, të paktën është rikuperuar Dejan Andoni. Tifozët janë shumë të interesuar për të parë ekipin zyrtarisht në kushte loje, pasi ekipi i këtij edicioni ka pësuar shumë ndryshime.

Janë 14 lojtarë që pritet të debutojnë me lushnjarët, duke filluar nga Roland Disha, Gilberto Gega, Niko Zisi, Visard Fikaj, Xhejms Ajinde, Xherrison Uilli, Serxhio Tabaku, Matjë Lëru, Paolo Kasmollari, Lauren Ismailaj, Kristjan Preknicaj, Saugli Alimuçaj, Anxhelo Duka dhe Ylber Muça. Verdhejeshilët janë tejet të motivuar për premierën dhe planifikojnë që ta nisin me këmbën e mbarë. Këtë e thotë edhe Adriatik Basha, në një prononcim për “Panorama Sport”:

“Edhe pak ditë kanë mbetur nga starti i kampionatit. Jemi duke kryer përgatitjet e fundit. Për ne lushnjarët është shumë e rëndësishme kjo ndeshje. Është e para dhe mbi të gjitha derbi. Çunat do të japin maksimumin e tyre për të marrë rezultatin që duam”, deklaroi fillimisht Basha. 24-vjeçari do të luajë sezonin e gjashtë radhazi, por pret që të jetë i fundit në inferiore.

“Është një ndeshje e vështirë. Skuadrat ndryshojnë nga një kampionat në tjetrin, përjashtim nuk bëjmë as ne. Kanë ardhur shumë lojtarë të rinj. Jemi gati, sidoqoftë. Kemi bërë një fazë të mirë dhe shpresojmë që ta fitojmë përballjen me Apoloninë”, përfundoi mbrojtësi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"