Lushja duhet të presë, Canka: Gati vetëm për Burrelin, fitore e çmendur me Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2023 | 21:55

Lushja duhet të presë, Canka: Gati vetëm për Burrelin, fitore e çmendur me Besën

Lushnja mori një fitore të çmuar përballë Besës, duke u pozicionuar në vendin e shtatë të klasifikimit. Një fitore në frymën e fundit, por e merituar për verdhejeshilët. Nuk është sezoni më i mirë për skuadrën, e megjithatë shenja “jete” jep hera-herës. Vërtetë u turpëruan nga Apolonia, por reaguan direkt dhe mbeten ende në garë për të kapur një vend në zonën “play off”. Këtë e beson fort edhe Mikel Canka, që edhe ndeshjen e fundit u detyrua ta shihte nga tribuna qendrore.

Canka

Ai dëmtim i pësuar që në nisje të sezonit dhe operacioni, e kanë lënë gjatë jashtë fushe dhe kështu duket se do të vijojë për pak. Rikuperimi kërkon edhe pak kohë, gjë që e saktëson edhe vetë 36- vjeçari. E megjithatë, prioritet për të është gjë tjetër. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ai tregon emocionet që i dha suksesi në shtesë. “Ishte një fitore më se e merituar. Një trepikësh shumë i rëndësishëm për renditjen. Ishte shumë emocionuese. Në radhë të parë i jemi shumë mirënjohës publikut lushnjar. Ne kemi një tifozëri pasionante, që e mbështeti ekipin deri në fund. Edhe ekipi besoi deri në fund. Unë pashë që ekipi ynë mund të zgjidhë çdo situatë.

Edhe një situatë të fundlojës. Realizuam një supergol dhe jemi shumë të kënaqur”, deklaroi 36-vjeçari. Për këtë javë do të jetë i vështirë rikthimi në fushë, por me Burrelin, “veterani” me të gjitha gjasat do të jetë gati. “Shpresoj shumë që të rikthehem në ndeshjen me Burrelin. Kemi një ekip të mirë. Nuk jemi absolutisht ata të fillimit. Gjatë garës mund të humbasësh ndonjë javë. Por, tashmë kemi ndryshuar dhe është në gjendje të mirë. Shpresojmë ta mbyllim sa më mirë deri në fund të vitit. Kemi ndeshje të rëndësishme dhe na duhen pikë të rëndësishme”, deklaroi kapiteni i lushnjarëve, Mikel Canka.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"