Luiza Gega sfidon dëmtimin, sot në pistë për të kërkuar finalen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2023 | 12:44

Luiza Gega sfidon dëmtimin, sot në pistë për të kërkuar finalen

 Luiza Gega do të jetë pjesë e kualifikueseve të Kampionatit Botëror të Atletikës, event që po mbahet në Budapest që prej datës 19 gusht. Ndonëse prezenca e kampiones kuqezi ishte në dyshim të madh për shkak të një shqetësimi muskulor që e mundon prej më shumë se 10 ditësh, ajo ka marrë vendimin për të qenë pjesë e garës kualifikuese.

gega

Një vendim i marrë në minutat e fundit, pas testeve finale, me Luizën që do të provojë kështu të rishkruajë historinë e atletikës shqiptare, duke synuar që për herë të tretë të bëhet pjesë e finaleve në garën e 3000 metrave me pengesa në një Kampionat Botëror, pas paraqitjeve fantastike të mëparshme në Doha dhe Oregon. Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, i cili ka folur për gjendjen e Gegës në prag të garës. “Deri në ditën e fundit këmba i është përgjigjur mirë, por jo në maksimum, pasi janë disa veprime që e pengojnë. Megjithatë, kemi vendosur që të jemi pjesë e garës, duke shpresuar për më të mirën.

Luiza po bën terapi dy herë në ditë me fizioterapistin e Kombëtares, Abdel Miranda, pra, po bëjmë të pamundurën”, shprehet kreu i FSHA-së. Luiza Gega do të jetë pjesë e Baterisë 3, ndërsa gara e saj do të startojë sot në mbrëmje në orën 20:23. Pesë vendet e para të secilës bateri sigurojnë kualifikimin për në finale dhe me rezultatet e saj sezonale, Gega është brenda kësaj pesësheje, që do të thotë se nëse Luiza bën Luizën, atëherë kualifikimi do të jetë i arritshëm për të.

“Duke parë baterinë, finalja është më se e kapshme për Gegën, vetëm nëse i bllokohet këmba”, përfundon Stërmasi. Ndërkohë, sot në Botëror për Shqipërinë do të konkurrojë edhe Franko Burraj. Atleti shkodran do të jetë pjesë e Baterisë 1 të kualifikueseve në garën e 200 metrave, garë që starton në orën 12:50.

gega (1)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"