Luhet mbijetesa/ Teuta, me ndryshime në duelin jetik kundër shijakasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2024 | 23:16

Luhet mbijetesa/ Teuta, me ndryshime në duelin jetik kundër shijakasve

Një fitore me Erzenin do të ishte “jetike” për Teutën. Dita e shtunë do të sjellë ndeshjen e javës së 26-ë për durrsakët. Një sukses ndaj një rivali direkt për mbijetesën do të rriste shumë moralin dhe besimin në skuadër.

teuta

Përgatitjet në kampin blu vijojnë normalisht dhe Edi Martini ka një grup të plotë futbollistësh dhe mundësi të shumta zgjedhjesh për titullarët, të cilët do të sfidojnë shijakasit pasnesër në orën 17:00 në “Niko Dovana”.

Ky, do të jetë edhe një test për të thyer atë statistikë negative në derbi, duke qenë se këtë sezon Erzeni ka fituar një takim dhe një tjetër ka përfunduar në barazim. Kjo do të jetë përballja e tretë. “Djemtë e detit” aktualisht renditen në vendin e parafundit me 25 pikë, ndërsa Erzeni ndodhet një pikë më shumë, duke mbajtur vendin e “play out”-it.

PËRGATITJET

Lojtarët e Teutës kanë vijuar përgatitjet për ndeshjen e radhës me Erzenin, një sfidë që vlen shumë. Blutë e drejtuar nga Edi Martini kanë zhvilluar një seancë stërvitore me intensitet të plotë në ambientet e stadiumit “Niko Dovana”. Atmosfera është e mirë dhe kundër Erzenit synohen tri pikët. Në fillim të seancës, Martini u foli disi futbollistëve për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, duke ju kujtuar se në këtë moment rëndësi kanë vetëm pikët.

Shkodrani i stolit që ka fituar edhe trofe në vitet e fundit me Teutën, pritet të bëjë lëvizje në skuadër, me synimin marrjen e tri pikëve ndaj një rivali direkt. Mundësitë janë, pasi skuadra ka kualitet për të qenë edhe më lart në renditje. Bashkë me stafin teknik, në Durrës po mundohen që të sistemojnë gjërat, në mënyrë që t’i marrin më të mirën kësaj Teute.

Z. QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"