Luhet “akti” i dytë, Besëlidhja mund Tërbunin, Bardhi: Edhe delegati qeshte me arbitrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2023 | 17:06

Luhet “akti” i dytë, Besëlidhja mund Tërbunin, Bardhi: Edhe delegati qeshte me arbitrin

Luhet “akti” i dytë i Tërbuni-Besëlidhja.Luhet “akti” i dytë i Tërbuni-Besëlidhja. Nëse 45 minutat e para u zhvilluan të shtunën e kaluar në stadiumin “Ismail Xhemali”, 45 minutat e tjera u mbyllën në fushën sportive “Reshit Rushi” të Shkodrës. Ishin lezhjanët ata që dolën fitimtarë, duke marrë një trepikësh të çmuar në garën për ngjitjen.

Capture

Moti i acartë dhe fusha e mbuluar nga dëbora, e bënë të pamundur zhvillimin e pjesës së dytë para 5 ditëve. Kryesori Rigert Zeneli dhe delegati Nikolin Sterkaj, njoftuan skuadrat që ky takim nuk mund të vazhdonte. Jo vetëm trashësia e dëborës kishte arritur në 10 centimetra, por edhe lojtarët nisën që të kishin probleme prej të ftohtit. Portieri Entoni Shkoza u dërgua në spital me autoambulancë, ku qëndroi gati 20 minuta. Vlen të kujtojmë se skuadrat shkuan në këtë pushim të gjatë, në shifrat 1-1. Ishin pukjanët që gjetën avantazhin pas 4 minutash me Bushajn, ndërsa në të 45-ën barazoi Marku me një penallti të kontestuar.

“AKTI” I DYTË – Pjesa e dytë nisi me skuadrën e Sinan Bardhit më kërkuese, e megjithatë Kaçubele e Gjini nuk kishin shënjestër. Lezhjanët jo vetëm që mbroheshin mirë, por hera-herës shihnin edhe nga sulmi. Bërdulla e Marku vunë në provë reflekset e Shkozës. Gjithçka u bë më e vështirë për Tërbunin në të 72-ën, kur Troshani mori të dytin të verdhë dhe la ekipin me 10 lojtarë. Ky karton erdhi pasi ofendoi gjyqtarit. Në superioritet numerik, vetëm 4 minuta iu deshën të besuarve të Dritan Smajlit për të gjetur rrjetën. Ruci pason për Musarajin, që nuk fal dhe çon shifrat në 1-2. Kohë kishte boll, por miqtë mbrojtën trepikëshin deri në finish.

“SHFRYN” BARDHI – Sinan Bardhi “shfryn” ndaj arbitrit. Sipas tij, ai donte që t’ia jepte fitoren Besëlidhjes. “Asgjë nuk shkoi keq tek ekipi. Që nga e shtuna, ky lloj arbitri donte me ia dhënë fitoren Besëlidhjes. Më çudit, pasi Besëlidhja nuk ka nevojë për ndihmë. Ka traditën, plus edhe ekip të mirë. Arbitri u bë protagonist si me penalltinë që na dha kundër në Pukë dhe sot. Ishin mbi 50 faulle kundër nesh, pa përmendur të kuqin… Nuk e kuptoj pse duan të prishin futbollin. Ky arbitër nuk duhet lejuar as në futbollin amator, jo më në të Dytën. Edhe delegati qeshte me arbitrin”, tha trajneri i Tërbunit.

SMAJLI: TRI PIKË TË ARTA

Dritan Smajli u kënaqet pikëve të marra. Për “Panorama Sport”, trajneri i Besëlidhjes tha: “Arritëm të merrnim tri pikë të arta. Fusha ishte e mirë dhe na lejoi të luanim futboll të bukur. Jemi më të qetë tani. Tërbunin e kishim vlerësuar maksimalisht pasi është një ekip që të hap punë. Të mive u kam kërkuar të jenë të kujdesshëm dhe marrim ndeshjet një nga një. Të mos kalojnë në eufori për ta mbyllur aty ku dëshirojmë kampionatin”.

FORM (1)

GANI PEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"