Luhatje të forta, Laçi është “i padeshifrueshëm” këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2024 | 21:31

Luhatje të forta, Laçi është “i padeshifrueshëm” këtë sezon

Laçi i këtij sezoni është një ekip shumë i vështirë për t’u parashikuar. Kurbinasit kanë zhvilluar deri tani një sezon me luhatje shumë të forta, veçanërisht në aspektin negativ, ndaj dhe janë në “vallen” e mbijetesës në Superiore, aktualisht me pikë të barabarta me Teutën e vendit të 8-të, që të çon në “Play-out”.

LACI

Pas një serie të gjatë ndeshjesh pa fitore, Laçi befasoi me 6 pikët e fituara në fushën e Teutës (0-1) dhe të Vllaznisë (1-2). Dy ndeshje të mira nga skuadra e trajnerit Armando Cungu, të finalizuara me sukses.

Më pas erdhi humbja në shtëpi me Egnatian, që ka kthyer te kjo skuadër sërish “ethet” e rënies nga kategoria. Laçi ishte duke fituar pas pjesës së parë dhe u mendua se po shkonte drejt suksesit të 3-të radhazi, por u përmbys në pjesën e dytë nga ekipi që kryeson Superioren.

DINAMO – Përpara Laçi ka ndeshjen me Dinamon, që lufton për 4-shen e parë. Vështirësitë për trajnerin Cungu janë shtuar nga mungesat e shumta që do të ketë për këtë sfidë të rëndësishme në transfertë. Janë jo pak, por 4 lojtarë të padisponueshëm për dëmtim dhe kartonë, si Kurti, Paulo Zhunior, Kryeziu dhe Melo.

Megjithatë, kurbinasit do të tentojnë të godasin sërish me grupin që kanë, ashtu siç bënë me Teutën dhe Vllazninë. Ata janë vërtet të “padeshifrueshëm” dhe në Elbasan, ku luhet ndeshja e radhës me Dinamon, mund të ndodhë gjithçka.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"