Luan në “shtëpi”, kapiteni Hoxha: Uroj që Durrësi të jetë një ogur i mirë për Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2023 | 14:20

Luan në “shtëpi”, kapiteni Hoxha: Uroj që Durrësi të jetë një ogur i mirë për Dinamon

Nga kjo e enjte e në vazhdim të këtij sezoni, ‘shtëpia’ e Dinamos do të jetë “Niko Dovana”. Blutë do të luajnë aty të gjitha ndeshjet e kampionatit si pritës, duke lënë kështu Elbasanin. Rifillimi i kampionatit rezervon një ndeshje shumë të rëndësishme për kryeqytetasit, të cilët kanë nisur kthesën me 5 pikët e marra në 3 ndeshjet e fundit.

rustem hoxha

Me Erzenin fitorja është domosdoshmëri, Dinamo ka nevojë për pikët maksimale që të forcojë sa më shumë pozitat në tabelën e renditjes. Psikologjikisht blutë po kalojnë një moment të mirë, ndërkohë që edhe grupi është plotësuar pas rikthimit nga dëmtimi të disa lojtarëve. Në kampin dinamovit mezi po e presin sfidën e 23 nëntorit.

DURRËSI – Pak më e veçantë do të jetë ndeshje e mesjavës për Rustem Hoxhën dhe Lorenco Vilën. Kapiteni i Dinamos dhe sulmuesi janë të dy durrsakë dhe do të luajnë në stadiumin, ku kanë fituar titullin kampion pak sezone më parë me Teutën. Hoxha shpreson që Durrësi t’i sjellë fat Dinamos. “Është një ndjesi e bukur që rikthehem në Durrës, sepse kam kujtime shumë të bukura tek ai stadium. Shpresoj shumë që kjo të jetë edhe një ogur i mirë për Dinamon, për arritjen e objektivave që kemi këtë sezon”, shprehet kapiteni i bluve, Rustem Hoxha.

GJENDJA – “Aktualisht gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Që me ardhjen e profesor Mehmetit dhe stafit të tij janë rritur entuziazmi dhe besimi në grup. Po ashtu, kanë ardhur edhe rezultatet pozitive dhe kjo na jep më shumë motivim dhe besim të gjithëve për të pasur vazhdimësi në kampionat, duke ngjitur një e nga një shkallët e tabelës së renditjes”, thotë më tej mbrojtësi me eksperiencë, duke iu referuar situatës në skuadër.

ERZENI – Për ndeshjen e së enjtes me Erzenin, Hoxha thekson: “Pa dyshim do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse Erzeni ka një skuadër të mirë, që luan në ekuilibër dhe me logjikë. E kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe do t’ia bëjmë si duhet shërbimin kësaj sfide. Po e përgatisim shumë mirë ndeshjen dhe besoj se do ta kalojmë me sukses. Mendoj se kemi më shumë kualitet për ta fituar këtë ndeshje shumë të rëndësishme dhe për t’iu larguar fundit të tabelës. Dinamo nuk e meriton kurrsesi të jetë aty ku është në këtë moment”.

NGJESHJA – “Sigurisht që deri në fund të këtij viti do të jetë një periudhë e vështirë, sepse ngarkesat rriten. Megjithatë, ne duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja e radhës për të hedhur hapa të matur gradualisht. Duhet t’i marrim maksimumin çdo ndeshjeje radhe. Dinamo ka një skuadër me moshë të re dhe rikuperimi i lojtarëve është më i shpejtë. Plus kësaj, profesor Tani ka eksperiencën dhe përgatitjen e duhur për ta menaxhuar shumë mirë ngarkesën e kalendarit”, përfundon mbrojtësi durrsak i Dinamos.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"