Luan në mbrojtje, por shënoi dy gola ndaj Tomorit, Repaj: Apolonia ka rival vetëm veten, po punojmë për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2023 | 13:49

Luan në mbrojtje, por shënoi dy gola ndaj Tomorit, Repaj: Apolonia ka rival vetëm veten, po punojmë për Superioren

Serjan Repaj i kthehet “zakonit” të golave. Shënoi dy kundër Tomorit dhe i dha më shumë ngjyra fitores. Në të 64-ën ishte i zakonshëm, në të 88-ën realizoi një kryevepër nga goditja e dënimit.

repaj apolonia

Gjatë intervistës së dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi tregon emocionet e këtyre dy episodeve dhe ecurinë e Apolonisë. Apolonia nuk po di të ndalet.

Sa e rëndësishme ishte kjo fitore ndaj Tomorit?

Gjithmonë kanë rëndësi. Sa për pikët, aq edhe për moralin. Ku ka më bukur sesa të fitosh pastër e të bindësh me lojë në stadiumin “Loni Papuçiu”.

U duk se do të shkonte në barazim si ndeshje, por situata u përmbys shpejt… Çfarë ndryshoi?

Tifozët na dhanë një ndihmesë shumë të madhe. Por edhe ne treguam vlerat tona, sepse e dominuam totalisht kundërshtarin në dyluftime, si për topin e parë, ashtu edhe për topin e dytë. Ishim superiorë.

Jeni të tretët në renditje, çfarë do të thotë kjo për Apoloninë?

Pak, po e sigurt është që kjo do të thotë se Apolonia është pretendente kryesore për “Abissnet Superiore”. Gjithashtu këto rezultate pozitive na shtojnë dëshirën, besimin dhe motivimin për t’u përballur si të barabartë me këdo e kudo. Nuk ndihemi inferiorë ndaj askujt, përkundrazi jemi më të fortë se kurrë. Tabela e renditjes është e ngjeshur ama. Kë shihni si rivalin më të madh? Shkurt, pastër e saktë, Apolonia ka rival vetëm veten e saj. Do të punojmë fort e do të japim shpirtin për të rikthyer Apoloninë në elitë.

Jeni mbrojtës, por e gjetët dy herë rrjetën. Kush ishte më i veçanti?

Jam shumë i lumtur që shënova dhe më e rëndësishmja që skuadra ime arriti të merrte 3 pikë. Çdo gol përjetohet, por i dyti më entuziazmoi pa fund. Erdhi nga goditja e dënimit, gjë që e kam testuar herë pas here edhe në stërvitje.

Luani me Francis Eneh Ndubuisin në qendër të mbrojtjes. Si ndiheni me të?

Ndihem shumë mirë me të, sepse ne arrijmë të plotësojmë njëri-tjetrin. Francis ka fituar mjaftueshëm eksperiencë sezon pas sezoni dhe mendoj që po bën paraqitje shumë të mira. Vlen për t’u theksuar gjithashtu se ekipi ka jashtëzakonisht cilësi në çdo repart dhe jemi në rrugën e duhur për të bërë më mirë e më shumë këtë sezon.

Cila është ëndrra juaj më e madhe në karrierë?

Të arrij të luaj një ditë me Kombëtaren shqiptare, sepse e kam pasur ëndërr që në fëmijëri veshjen e fanellës kuqezi. Gjithashtu në një të ardhme të luaj për një ekip jashtë Shqipërisë.

HILMI SALIU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"