Luajnë për dy rezultate, Magani s’do blof: Fitojmë, fatale nëse mendojmë se na vlen barazimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2023 | 21:29

Luajnë për dy rezultate, Magani s’do blof: Fitojmë, fatale nëse mendojmë se na vlen barazimi

Besa nesër do të mbyllë siparin e një sezoni, që mund të quhet i dështuar. Ngjitja mbeti vetëm një mirazh, por diskutojnë ende qëndrimin në Kategorinë e Parë. Mungesa e stadiumit ndikoi fuqishëm, por vend për justifikim sigurisht nuk ka. Verdhezinjtë kanë për të kaluar edhe provën e fundit, që të evitojnë dramën. Luajnë me Burrelin dhe pritet të jetë një duel interesant, pasi që të dyja luajnë për të shmangur “play out”-in.

MAGANI

Matjanët shkojnë në Berat me mision të qartë, të marrin trepikëshin. Dhe nëse kjo ndodh, do të ishin kavajasit ata që do të detyroheshin që të luanin ndeshjen shtesë. E megjithatë, skuadra e Gugash Maganit e ka një bonus të madh: luan për dy rezultate. Edhe barazimi do t’i vlente. E megjithatë, trajneri mendon ndryshe. Gjatë deklaratës së dhënë enkas për “Panorama Sport”, peqinasi qartëson se nuk do blof në këtë 90- minutësh.

“Gjatë gjithë javës ua kam bërë të qartë futbollistëve, se do të ishte fatale nëse mendojmë se na vlen edhe barazimi. Objektivi ynë i vetëm do të jetë fitorja. Parashikoj një përballje jo të lehtë, pasi edhe Burreli vjen me objektiva të qartë.

Ne e morëm mësimin nga Oriku dhe reaguam në Korçë, por ajo fitore nuk ka asnjë vlerë nëse nuk vijojmë edhe me fitore me Burrelin. Do ta quaja finalen e fundit të këtij sezoni dhe për të gjithë ekipin, duke nisur nga unë, jemi të bindur në mundësitë tona reale e forcën tonë. Nëse kemi humbur mjaft ndeshje, gjykoj se kanë ardhur më shumë nga gabimet tona sesa për meritë të kundërshtarëve.

Nuk njoh një ekip tjetër në Kategorinë e Parë, që gjatë gjithë këtij sezoni ka krijuar raste më shumë para portave kundërshtare sesa Besa. Moskonkretizimi ka qenë edhe defekti ynë kryesor, pasi loja jonë nuk ka çaluar thuajse në asnjë takim.

Bazuar te kjo lojë, besoj se edhe me Burrelin do ta mbyllim me fitore këtë kampionat. E përsëris, se gjatë gjithë javës ua kam bërë të qartë lojtarëve se vërtetë Besa ka cilësi grupi më të lartë se Burreli, por në fushë më shumë vendos shpirti i garës, sakrifica dhe efikasiteti në lojë. Ne i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë këtë dhe pres vetëm fitoren”, përfundoi tekniku i verdhezinjve.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"