Lorenco Vila sfidon kryesuesit: Luftojmë deri në fund për objektivat e Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2023 | 15:41

Lorenco Vila sfidon kryesuesit: Luftojmë deri në fund për objektivat e Teutës

Teuta ka rinisur dje përgatitjet pas dy ditësh pushim. Pasdite durrsakët nën drejtimin e trajnerit Edi Martini dhe stafit teknik kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore. Ekipi është stërvitur normalisht dhe grupi është në gjendje optimale.

LORENCO VILA 1

Në një prononcim për “Panorama Sport, Lorenco Vila ka folur për ecurinë e përgatitjeve të skuadrës së tij, duke theksuar se atmosfera në klub është shumë e mirë. 22-vjeçari në këtë sezon ka bere goxha mirë dhe beson se ndaj Partizanit ekipi do të bëjë maksimumin për tri pikët.

Si po shkojnë përgatitjet në Durrës?
Faza e përgatitjeve po shkon sipas planit. Jemi duke marrë ngarkesat e nevojshme fizike dhe po punojmë në aspektin taktik, që të jemi sa më të përgatitur për 10 ndeshjet e fundit të sezonit. Te skuadra mbretëron atmosferë shumë e mirë dhe serioziteti në stërvitje dhe në ndeshje është maksimal.

Pra keni një frymë shumë të mirë në ekip?
Atmosfera në klub është shumë e mirë, jemi një grup që kemi dy vite bashkë, por dhe lojtarët që janë bashkuar dhe po përshtaten, e kjo na motivon edhe më shumë. Të gjithë futbollistët premtojmë maksimumin dhe po punojmë ta gëzojmë qytetin e Durrësit.

A është gati Teuta për duelin ndaj Partizanit?
Nuk ka ndeshje të lehta, pasi në Superiore çdo rival është i rrezikshëm. Kemi nxjerrë mësimet e duhura nga sfida si ajo me Egnatian dhe po mundohemi të jemi gati për këtë ndeshje.

Si Teuta dhe Partizani vijnë në këtë ndeshje pas momenteve të mira. Sa ua vështirëson kjo dhe a besoni te fitorja?
Sigurisht që për të dyja ekipet është një situatë pak më e mirë. Unë mund të flas për ekipin tim, jo Partizanin. Pavarësisht rezultateve jo të mira, në ekip mbizotëron besimi, entuziazmi, që na jep shpresë për ndeshjen e ardhshme.

Ekipet e zonës “Euro” janë vetëm 3 pikë larg, mendoni se do ta arrini?
Në këtë moment që ndodhemi nuk duhet të mendojmë për diferencën me ekipet e vendeve të para. Duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjet tona, duke rritur paraqitjet tona ndeshje pas ndeshjeje.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"