Longo kërkon reagim pas turpërimit, regjim “kazerme” te Teuta para Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2023 | 22:09

Longo kërkon reagim pas turpërimit, regjim “kazerme” te Teuta para Skënderbeut

Teuta po mundohet ta lërë pas shpine atë humbje shumë të dhimbshme ndaj Laçit me shifrat 6-1, me Longon, që kërkon autokritikë që nga seancat stërvitore e më pas edhe në fushë. Ditën e djeshme trajneri Longo dhe ndihmësit e tij patën ballafaqimin e parë me skuadrën që kur ishin ndarë nëpër destinacione të ndryshme pas mbërritjes në Durrës pas humbjes me Laçin.

LONGO

Pasi i njoftoi programin e stërvitjes, Longo i bëri të qartë lojtarëve se rikthimi te suksesi nuk është një proces që vjen vetë, por pas një punë më të madhe dhe një disiplinë akoma më të rreptë. Menjëherë pas këtij fjalimi të shkurtër të trajnerit, skuadra nisi stërvitjen.

Ajo që bie më së shumti në sy është fakti se italiani e ka zgjuar skuadrën shumë herët, teksa stërvitja ka nisur në orën 8:30 të mëngjesit. Pavarësisht se kjo seancë ka qenë mjaft impenjative, Longo e ka mbledhur skuadrën edhe pasdite, për të zhvilluar një tjetër seancë në orën 17:30, pra dy në ditë. Një regjim “kazerme” nga italiani, që duket se ka zgjedhur të reagojë kështu pas asaj humbjeje turpëruese ndaj Laçit, që ka fituar të gjashta sfidat e fundit përballë Teutës.

Sfida e nesërme ndaj Skënderbeut kërkon me patjetër rikthim në vetvete të skuadrës, që ndaj Tiranës u pa të ishte një skuadër shumë luftarake dhe e rrezikshme, sidomos në daljet e shpejta. Gjithsesi, pas asaj ndaj Laçit, duhet thënë se mbrojtja është reparti, ku kërkohen riparime, pasi në dy ndeshje janë pësuar 8 gola. Ndërkohë, Teuta ka arritur të shënojë edhe 3 gola. Laçi ishte kundërshtari që nxori në pah problemet e durrsakëve në prapavijë.

Longo, si një “merakli” i këtij reparti, me patjetër do të kërkojë të përmirësojë shifrat në këtë departament. Gjasat janë që italiani të bëjë disa lëvizje në formacion, por jo vetëm në mbrojtje. Koha shihet si një nga “armiqtë”, pasi skuadra është thuajse e rindërtuar nga e para dhe i duhet të shpenzojë më shumë kohë për tu pjekur. Fitorja ndaj Skënderbeut do të ishte “medikamenti” i vetëm, që do ta bënte Teutën të harronte dhimbjen e asaj humbjeje në Laç, nga ku dolën me “kocka të thyera”.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"