“Lojtarët do t’i shikoj në fushë, në stërvitje është ndryshe”, Dobi: Pres reagim me Laçin, për Kukësin vlen vetëm fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2022 | 11:04


“Lojtarët do t’i shikoj në fushë, në stërvitje është ndryshe”, Dobi: Pres reagim me Laçin, për Kukësin vlen vetëm fitorja

Për Kukësin, përballja ndaj Laçit, e cila ësh të përcaktuar të luhet sot në orën 15:00, konsiderohet si një finale, duke parë edhe gjendjen në të cilën ndodhet skuadra, ku ka nevojë jetike për pikë që t’i largohet fundit dhe të shpresojë më pas në një ngjitje në klasifikim.

ENKELEID DOBI

Të paktën kështu deklaron trajneri Enkeleid Dobi, në prononcimin për mediat, përpara kësaj sfide. Pas shijimit të fitores së parë të verilindorëve, atë në Kupë ndaj Labërisë, për Dobin ka ardhur koha për të marrë edhe fitoren e parë në kampionat. Ai vlerëson maksimalisht përballjen me kurbinasit dhe ka besim te triumfi i skuadrës që drejton prej disa javësh.

“Ndeshjen e nesërme (sotme) e vlerësojmë si finale. Duke parë kushtet në të cilat jemi, çdo ndeshje është si finale dhe duhet të vlerësohet si e tillë”, u shpreh fillimisht tekniku i bluve në lidhje me sfidën e javës së gjashtë.

RIVALËT – Dobi më pas është ngacmuar edhe sa u përket rivalëve, me skuadrat që mund të bëjnë diferencën. Ai vë në dukje se nuk ka shumë disnivel midis ekipeve në futbollin shqiptar dhe diferencën në të shumtën e rasteve e bëjnë pikërisht detajet.

“Deri tani nuk kam parë një skuadër që të bëjë diferencën në Shqipëri dhe të ketë nivel më të lartë. Të gjitha skuadrat janë thuajse të një niveli dhe janë vetëm detajet ato që bëjnë ndryshimin”, vijoi më tej tekniku i bluve, i cili forcat i ka matur vetëm në përballjen ndaj kryesuesve të Partizanit, me të cilët u mund me rezultatin 1 me 2 në “Kukës Arena”.

SITUATA – Më tej, trajneri i verilindorëve është ndalur te gjendja fizike e ekipit të tij, ku nuk ka preferuar të japë më shumë detaje në lidhje me gjendjen fizike të lojtarëve.

Sipas tij, tjetër gjë është ajo që shihet në stërvitje dhe tjetër gjë kur luhet në fushë gjatë ndeshjes.

“Do të shihet në fushë. Normalisht në stërvitje është shumë ndryshe nga ndeshja dhe gjendja e vërtetë e futbollistëve shihet vetëm në fushë gjatë ndeshjes”, përfundoi prononcimin e tij numri një i pankinës së Kukësit, i cili e mori drejtimin e skuadrës pas dorëheqjes së Skënder Gegës në javën e katërt të Superiores.

Detyra e Dobit është rikthimi i skuadrës te fitoret dhe ngjitja në klasifikim, edhe pse përpara e pret një punë jo shumë e lehtë. Gjatë kësaj periudhe, tekniku është munduar të punojë, midis të tjerave, edhe për anën psikologjike të skuadrës, pasi lojtarëve nuk u mungojnë kualitetet në fushë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL