Linjë importi nga Peruja, gjashtë lojtarë kanë zbarkuar në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2023 | 19:27

Linjë importi nga Peruja, gjashtë lojtarë kanë zbarkuar në Shqipëri

Ka një linjë “importi” të Shqipërisë nga Peruja. Jo nga ato që jemi mësuar të dëgjojmë herë pas here në lajme, por bëhet fjalë për import futbollistësh.

La Torre

Janë gjashtë lojtarë nga Peruja që kanë zbarkuar në Shqipëri këtë sezon dhe janë të shpërndarë në skuadra e kategori të ndryshme në vendin tonë, duke filluar nga Superiorja dhe deri në të Dytën. Portali “www.radiokaribena.pe” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë numrit të lartë të futbollistëve peruanë (6) që kanë zbarkuar në Shqipëri. Por, nuk është vetëm ky fakti interesant.

Kjo media saktëson se këta nuk janë lojtarë që vijnë nga Liga 1 (divizioni i parë i futbollit vendës), por vijnë nga një kompeticion i quajtur “Copa Peru”, që formohet kryesisht nga lojtarë amatorë, por që kanë të drejtën të luajnë në “Copa Federacion” dhe të përfaqësohen aty me 11 ekipe. Ja çfarë thotë ndër të tjera artikulli i medias peruane:

“Çdo vit pritshmëria për lojtarë të rinj që duhet të dalin për futbollin peruan është rend i ditës në mediat sportive. Liga 1 (Divizioni i Parë i futbollit peruan) duhet të ishte kampionati që eksporton numrin më të madh të lojtarëve jashtë vendit, e megjithatë këtë vit ndodhi një ngjarje e papritur. Sipas statistikave, Kupa shumë e fuqishme e Perusë është burimi kryesor i eksportit të futbollistëve peruanë në Europë, duke lënë pas Ligën 1. Çdo vit, më shumë futbollistë peruanë pritet të largohen në mënyrë që të vazhdojnë të konsolidojnë karrierën e tyre jashtë vendit.

Zakonisht, këta lojtarë peruanë largohen nga Liga 1 drejt Amerikës Qendrore, Amerikës së Jugut ose Europës, por këtë vit ndodhi e papritura. Kupa e Perusë, e kritikuar shpesh për organizimin e saj të tmerrshëm, ka eksportuar gjithsej gjashtë futbollistë në Kontinentin e Vjetër, duke u bërë kompeticioni që ka nxjerrë më shumë “lojtarë” këtë vit. Destinacioni kryesor i 6 futbollistëve është Shqipëria e largët, me kryeqytet Tiranën.

KUSH JANË ATA? – Futbollisti i parë që pranoi ofertën shqiptare ishte Josep Farfán. Gjatë vitit 2022 futbollisti luante në Kupën e Perusë, por këtë vit vendosi të provojë një eksperiencë të re. Kështu, ai nuk ka hezituar të pranojë ofertën e KF Sopoti, skuadër e Ligës së Dytë shqiptare. Junior Castrillon është gjithashtu në të njëjtin klub. Emri i futbollistit peruan është i njohur për kohën e tij në Ligën 1, ku luajti për Sport Boys, Leon de Huanuco dhe Cienciano del Cusco. Atletiko Bruse ishte skuadra e tij e fundit nga ku ai bëri hapin e madh drejt Europës.

Henrique Raez, lojtar i Sport Ancash në Kupën e Perusë, do të jetë rivali i Josep Farfan dhe Junior Castrillon në ligën shqiptare. Ai do të luajë për Devollin. Joao Neyra, djali i të famshmit Donny Neyra, qendërmbrojtës 23-vjeçar, do të luajë për KF Delvina në Shqipëri dhe shpreson të bëjë emër në futbollin europian.

Në Shqipëri do të jetë i pranishëm edhe bashkëlojtari i Raezit, Carlos Nazayro Rivas, i cili do ta bëjë për FK Kukësin, por në Ligën e Parë. Gjithashtu sulmuesi Sebastian la Torre, që ishte te Santos FC Nazca në Ligën 2 peruane, është pjesë e Kukësit këtë sezon, madje arriti të shënonte që në debutim në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Duhet thënë se edhe pse vijnë nga një kompeticion si Kupa e Perusë, emigrimi drejt futbollit europian hap një dritare të mundshme për nivele të larta”, thuhej ndër të tjera në artikull.

LOJTARËT NGA PERUJA

KUKËSI
Carlos Nazayro Rivas
Sebastian la Torre

SOPOTI
Josep Farfán
Junior Castrillon

DEVOLLI
Henrique Raez

DELVINA
Joao Neyra

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"