LIGA UNIKE MESHKUJ/ Prishtina përmbys në fund Besëlidhjen, Peja dominon Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 10:23

LIGA UNIKE MESHKUJ/ Prishtina përmbys në fund Besëlidhjen, Peja dominon Teutën

Liga Unike Lajthiza e basketbollit për meshkuj ka zhvilluar dje në Vlorë ditën e dytë të ndeshjeve, duke zyrtarizuar gjysmëfinalistët. Asnjë surprizë në çerekfinale, teksa pas Trepçës dhe Yllit, dje kanë prerë biletat për në katërshe edhe Peja me Prishtinën, duke kompletuar pokerin e skuadrave kosovare.

liga unike

Besëlidhja ishte ekipi nga Shqipëria që iu afrua më shumë kualifikimit, pasi bëri një ndeshje të madhe ndaj një rivali me shumë kualitet si Prishtina. Por as paraqitja heroike e lezhjanëve të Afrim Bilalit nuk mjaftoi, pasi në fund ata që festuan ishin prishtinasit. Kështu pas një loje emocionuese dhe të luftuar deri në sekondën e fundit Besëlidhja u mund nga Prishtina minimalisht 79-80 (28-9, 17-22, 17-28, 17-21).

Lezhjanët e nisën në mënyrë të shkëlqyer duke dominuar tërësisht periodën e parë, ndërsa arritën të shkonin deri në +22 pikë avantazh, por më pas Prishtina nisi gradualisht të fitojë terren, ndërsa e konkretizoi përmbysjen vetëm në sekondat e fundit të takimit. Hysa kishte mundësinë për ta çuar ndeshjen në shtesë, por realizoi vetëm 1 nga 2 gjuajtjet e lira në limitet e kohës, ndërsa gjithçka u mbyll me suksesin e prishtinasve. Stone me 26 pikë dhe Clark me 23 spikatën te Prishtina, ndërsa për Besëlidhjen nuk mjaftoi paraqitja super Hamatit, MVP me 24 pikë e 17 kërcime.

Për sa i përket çerekfinales tjetër të luajtur dje, Peja fitoi ndaj Teutës thellë 122-78 (45-13, 28-21, 30-21, 19- 23). Një takim pa histori me pejanët që u treguan superiorë në çdo aspekt ndaj durrsakëve. MVP u shpall Justin Davis me 29 pikë, 14 kërcime dhe 6 asistime për Pejën, ndërsa te Teuta spikati Bacon me 27 pikë, 5 kërcime dhe 7 asistime. Kështu raundi i parë i “Final 8” që po mbahet në Vlorë, konfirmoi superfuqinë dardane, me ekipet shqiptare që e kanë shumë të vështirë të konkurrojnë ndaj kundërshtarësh me buxhete rreth 10-fish më të larta. Sot do të jetë dita e gjysmëfinaleve, teksa do të luhet sfidat Peja-Ylli dhe Trepça-Prishtina.

ndesh

tabela

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"