LIGA UNIKE FEMRA/ Derbi i kryeqyteteve, Prishtina dominon Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2024 | 13:02

LIGA UNIKE FEMRA/ Derbi i kryeqyteteve, Prishtina dominon Tiranën

Liga Unike e basketbollit për femra ka hapur dje javën e pestë të sezonit të rregullt me dy ndeshjet e para.

basket

Derbi mbarëkombëtar i kryeqyteteve ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës u fitua nga skuadra kosovare, e cila u shfaq dominuese në parketin e sallës “Farie Hoti”. Ndërsa Bashkimi kryesues vijon ecurinë e shkëlqyer, teksa dje mundi Penzën në transfertë, duke ruajtur vendin e parë dhe pathyeshmërinë në këtë edicion të Ligës Unike.

TIRANA-PRISHTINA – Vajzat prishtinase siguruan suksesin e katërt sezonal, duke mposhtur Tiranën me rezultatin 56-71. Prishtina u tregua superiore, teksa e kryesoi sfidën nga fillimi e deri në fund, ndërsa Tirana nuk mundi që t’i përgjigjej ritmit të lojës së mikeve. Prishtinaset, të cilat janë edhe fituese të edicionit të parë të Ligës Unike, e filluan ndeshjen me intensitet, me një sulm efikas dhe me një mbrojtje solide, për të krijuar diferencë të ndjeshme pikësh që në periodën e parë. Skuadra kosovare e fitoi 10- minutëshin me rezultatin 10- 24, ndërsa Tirana provoi të reagonte në çerekun e dytë, me vajzat bardheblu që fituan 18-13, duke u afruar në 28-37 pas 20 minutash lojë. Perioda e tretë ishte e rivalizuar, por Prishtina arriti ta administronte mirë epërsinë. Ky fraksion u mbyll 16-15 për Tiranën, ndërsa pas 30 minutash rezultati në tabelë ishte 44-52 në favor të Prishtinës. Ekipi nga Kosova e thelloi edhe më shumë diferencën, teksa fitoi periodën e katërt 12-19, duke e vulosur të gjithë ndeshjen me +15 pikë avantazh. Për Prishtinën katër lojtare shkuan në dopioshifër pikësh, ndërsa asnjë pikë nuk erdhi nga stoli. Rendimentin më të lartë e kishte Williams, MVP me 32 pikë, 14 kërcime dhe 4 asistime. Për Tiranën në kuotë dyshifrore pikësh mbërritën Qosja me 18, Gonzales me 13 dhe Verri me 11.

11

PENZA–BASHKIMI – Në Pejë u zhvillua derbi i skuadrave kosovare ndërmjet Penzës vendëse dhe Bashkimit, takim që u mbyll me fitoren e vajzave prizrenase në shifrat 62-66 (14-14, 17-17, 13- 14, 18-21). Ndeshja ishte tepër interesante dhe e luftuar deri në sekondat e fundit, por Bashkimi u tregua më i saktë, duke marrë suksesin e merituar. Muhadri me 15 pikë, 19 kërcime dhe 4 asistime si dhe Godbold me 21 pikë, 8 kërcime dhe 2 asistime udhëhoqën ekipin mik në këtë triumf. Për Penzën spikati Gayle me 22 pikë, 8 kërcime dhe 4 asitime. Me këtë fitore Bashkimi i forcon edhe më tepër pozitat në vendin e parë me pikë të plota, ndërsa Penza mbetet e parafundit. Java e pestë do të kompletohet sot me ndeshjen ndërmjet Flamurtarit dhe Partizanit në orën 19:00 në Vlorë, takim që vendos përballë dy finalistet e edicionit të kaluar të Ligës Unike, me të kuqet që siç dihet u shpallën kampione.

12

1111

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"