Leva zbulon ndryshimet mes trajnerëve: Guardiola është më detajist se Ksavi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2023 | 16:03

Leva zbulon ndryshimet mes trajnerëve: Guardiola është më detajist se Ksavi

Robert Levandovski ka pasur fatin të punojë me dy trajnerë si Pep Guardiola dhe Ksavi Hernandez.

LEVANDOVSKI 2

Dhe sulmuesi polak ka zbuluar dallimin mes të dyve: “Unë nuk mendoj se Ksavi u kushton vëmendje këtyre detajeve aq sa Guardiola. Ai ka vizionin e tij. Për shkak të pozicionit në të cilin luajtën të dy, kjo ndihmon që t’i kuptojnë rolet e tjera në fushë, por Ksavi nuk është aq i detajuar, megjithëse është një trajner që po bën hapa të mëdhenj dhe është në zhvillim të vazhdueshëm”.

Ish-ylli i Bajernit të Mynihut bëri një bilanc të sezonit të tij të parë në “Camp Nou” gjatë një intervistë për televizionin “Canal +”, duke u ndalur për të bërë një krahasim dhe ndarë figurën e dy trajnerëve: “Mund të kuptoni se nëse dikush do të ishte një futbollist i madh dhe do të bëhej trajner, në faktin se është më e lehtë t’ua transmetosh atë lojtarëve. Kur ata thonë diçka, mesazhi kalon menjëherë”.

Leva i njeh mirë të dy dhe nën urdhrat e Pep Guardiolës ishte për tre vjet në Mynih: “Guardiola është një trajner që kujdeset për të gjitha aspektet e stërvitjes. Aty më tregonte shpesh se si duhet të pozicionoja trupin tim për të operuar me të dyja këmbët, si me të djathtën ashtu edhe me të majtën”.

Në lidhje me njeriun nga Santpedor, i cili fitoi tripletën historike me Mançester Sitin këtë sezon, duke u bërë vetëm trajneri i parë që e bën një gjë të tillë me dy klube të ndryshme (edhe me Barcelonën), kapiteni i Polonisë zbulon: “Ai donte që unë të luaja më shumë me të majtën, në mënyrë që të kisha më shumë vizion në fushë, sepse nëse luan vetëm me të djathtën, e kufizonit shikimin tuaj. Guardiola nuk më tha kurrë se si të shënoja gola, sepse unë e bëja më mirë se ai”. 34-vjeçari e nisi shumë fort sezonin e tij të parë në La Liga, por më pas ngadalësoi.

Por ai bën një vlerësim pozitiv për sezonin e tij të parë në skuadrën katalanase, me të cilën u shpall menjëherë kampion: “E dija që sezoni im i parë në Barcelonë do të ishte ndryshe për mua, madje do të hasja edhe risi, sepse më duhej të fokusohesha në gjëra krejtësisht të ndryshme se më parë. Këtu unë jam i rëndësishëm, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Më duhej që të punoja më shumë dhe kjo u reflektua në statistika. Jo vetëm që kishte më pak gola, por edhe në rastet e krijuara. E prisja që sezoni im i parë mund të ishte i tillë, por shpresoj që të kthehem në normalitet sezonin e ardhshëm, edhe pse jam shumë i kënaqur me golat që kam shënuar në këtë vit të parë”.

E ARDHMJA – Levandovski është i bindur se te Barça ai do të jetë në gjendje të përsërisë sukseset që ka prekur me Bajernin e Mynihut në vitet e ardhshme: “Ne duam të ndërtojmë disa gjëra nga e para mbi baza të forta. Ne nuk jemi të interesuar të bëjmë ndryshime sipërfaqësore që funksionojnë në afat të shkurtër, por afatgjatë”.

Dhe ai vlerëson faktin e triumfit në La Liga që në sezonin e tij të parë në Spanjë: “Më kujtohet kur fitova kampionatin tim të parë. Nëse e dini se mund ta fitoni atë, atëherë luani me më shumë qetësi dhe siguri”. Sulmuesi lë të hapur derën për një tërheqje në Shtetet e Bashkuara, ashtu si Mesi. “Është shumë e mundur. Për Shtetet e Bashkuara u fol gjashtë apo shtatë vjet më parë dhe është ende atje si opsion, por unë jam shumë mirë në Barcelonë dhe kam një kontratë me klubin. Jam shumë i lumtur”, tha ai duke mbyllur derën për ofertat e mundshme nga Arabia.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"