Lëshoi predhën që solli polemika, Deliu: Ai gol nuk anulohet, humbje e pamerituar për Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2023 | 21:28

Lëshoi predhën që solli polemika, Deliu: Ai gol nuk anulohet, humbje e pamerituar për Besën

Besa e pësoi në Peshkopi. Një humbje që rëndon ende te kavajasit, pasi e cilësojnë të pamerituar. Edhe pse ishin në disavatazh të një goli në të 78-ën, reaguan dhe barazuan dy minuta më pas. E megjithatë, nuk ishte e thënë që të festonin.

Arber Deliu

Goli u anulua dhe në kamp ende nuk e kuptojnë përse. I paqartë është sidomos Arbër Deliu, i cili ishte protagonist në atë rast. Në minutën e 80- të ishte mesfushori që e lëshoi atë predhë, që portieri vendës nuk e zotëroi dhe më pas një lojtar i Korabit e çoi në rrjetë. Të paktën këtë pretendon 23-vjeçari.

“E kam si parim, që fillimisht të shikojmë nga vetja dhe kuptojmë ku gabuam apo ku mund të bënim më mirë. Në këtë sens, gjykoj se mund e duhet të bënim më mirë dhe sidomos në pjesën e parë. Mundësitë tona reale janë për më shumë dhe këtë duhet ta dëshmojmë në fushë. Por, futbolli nuk është basketboll. Nuk mund të shënosh kosha sa të duash, në futboll mjafton një gol dhe je fitues.

Me këtë dua të them, se ne e bëmë tonë. E barazuam ndeshjen dhe rrallë kam parë të anulohen gola të tillë. Për mua ishte autogol, siç thotë me bindje sulmuesi ynë Shehu. Por edhe nëse nuk do të ishte autogol, përsëri Shehu ishte në pozicion të rregullt. Të vjen keq, pasi ishte minuta e 80-të.

Megjithatë, kjo nuk na pengoi të kërkonim golin deri në fund, çfarë na kushtoi me atë kundërsulm të miqve. Për mua si të humbësh 1-0 si 2-0, rëndësi kanë pikët, ndaj rrezikuam në fund për gati 15-të minuta dhe mund të barazonim edhe pas golit të anuluar”, përfundoi mesfushori.

Besa momentalisht ka vetëm katër pikë, falë fitores me Lushnjës dhe barazimin në Fier. Ngërç i madh ka qenë fusha, pasi 3 nga 4 sfidat e para, i kanë luajtur në transfertë. Mundësitë për rikuperim janë dhe që të enjten, kur do të presin në Luz Elbasanin kryesues. Një tjetër përballje e vështirë, të cilën kavajasit do të kërkojnë ta kalojnë me sukses.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"