Legjenda e Real Madridit, Iker Kasijas: Kros super, por klubi është mbi lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2024 | 14:42

Legjenda e Real Madridit, Iker Kasijas: Kros super, por klubi është mbi lojtarët

Iker Kasijas ka ndarë dhomën e zhveshjes dhe fushën e lojës me mesfushorin gjerman Toni Kros duke e vlerësuar maksimalisht për atë që ai bënte në fushën e lojës. “Kros ishte një lojtar fantastik. Erdhi në skuadër pa shumë zhurmë.

iker kasijas

Erdhi kokulur për të punuar dhe për të merituar në fushën e lojës atë që sot është duke u folur për të. Është një emër i rëndësishëm në nivelin botëror. Ka fituar zemrën e madrilenëve duke qenë lojtar i madh”, ka thënë fillimisht legjenda spanjolle.

BEFASIA- Ai më tej tregoi edhe befasinë për vendimin që ka marrë gjermani, sepse mendon që mund të luante ende në Madrid. “Sigurisht që mund të vazhdonte të luante futboll në mënyrë perfekte. Çdo të mërkurë apo të diel që ai zbret në fushë të argëton. Është një vendim që e ka marrë me bindje dhe shpresoj që familja dhe ai vetë të kalojnë momente të bukura së bashku”, shpjegon Kasijas.

SUKSES- Ish-portieri është i bindur që Reali i Madridit do të vazhdojë të jetë fitues dhe konkurrues pavarësisht se largohen lojtarë kaq të rëndësishëm. “U largua Kristiano, u largua Ramos dhe Kasijas. U largua edhe Raul nga Reali i Madridit. Por në fund të fundit, emri dhe stema është gjithmonë aty. Po fiton trofe të rëndësishëm dhe po dominon botën e futbollit në Spanjë dhe Europë. Ky është Reali i Madridit”, tha ai. CHAMPIONS- Spanjolli foli gjithashtu edhe për finalen e Champions-it dhe shanset që kanë të dyja skuadrat. “E gjithë bota sheh si favorit Realin e Madridit dhe sigurisht që ata janë. Por sigurisht që Dortmundi ka ardhur këtu me meritë dhe do të tentojë të bëjë ndeshjen e tij për të vënë në vështirësi Realin”, shtoi më tej Kasijas.

KURTUA- Në Madrid ka nisur një diskutim nëse duhet të jetë Kurtua titullar në finalen e Champions-it edhe pse vjen nga një periudhë që nuk luan. Kasijas është i bindur se ai është numri një. “Kurtua është numri një dhe është rikthyer shumë mirë. E kuptoj Luninin që ka dhënë kontribut të rëndësishëm që Reali të shkojë në finale dhe ka bërë mjaft mirë. Por vendimi është i Ançelotit. Kurtua për mua mund të luajë. Por të gjithë duhet të jenë të kënaqur që Lunin ka bërë kaq mirë dhe ka qenë në lartësinë e Realit të Madridit”, përfundoi Kasijas.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"