Ledion Ruço: Lushnja meriton të jetë në Superiore, të kthejmë emocionet e 2017-ës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2024 | 17:10

Ledion Ruço: Lushnja meriton të jetë në Superiore, të kthejmë emocionet e 2017-ës

Lushnja do të jetë për të shtatin edicion radhazi, në Kategorinë e Parë. Madje, në dy edicionet e fundit e ka siguruar qëndrimin përmes ndeshjeve shtesë, në fund të edicionit të rregullt. Janë të dhëna që tregojnë se futbolli i Lushnjës është në vështirësi.

ledion ruco lushnja

Ledion Ruço, një nga “veteranët” e verdhejeshilëve, për “Panorama Sport” flet për sezonin që sapo u mbyll. “Lushnja e këtij edicioni nuk e meritonte pozicionin që u rendit pas përfundimit të sezonit të rregullt. Ishin shumë faktorë që e çuan deri në atë pikë. Lushnja meritonte të ishte në zonën “play-off” të Superiores, jo për mbijetesë. Por, ndonjëherë futbolli ka dhe të papritura”, deklaroi fillimisht Ruço. Futbollisti i linjës së majtë, së shpejti do të mbushë 33 vjeç, por do të vazhdojë të luajë futboll. “Po, do të vazhdoj të luaj. Normalisht, që kam shumë qejf ta mbyll karrierën te Lushnja. Këtu e kam nisur dhe si lushnjar do të kisha dëshirë që Lushnja të rikthehej në Superiore. E meriton për të gjithë tifozët që ka. Dëshiroj të mbushin edhe një herë stadiumin e Lushnjës plot, të rikthenin edhe një herë emocionet e vitit 2017 kur u ngjitëm në Superiore. Ka qenë një super kampionat dhe shpresojmë shumë që t’ia arrijmë të gjithë bashkë. Shpresoj që kjo të bëhet realitet në sezonin e ri”, tha Ruço.

Tifozët dhe elementi vendas

Pavarësisht rezultateve, Lushnja vijon të ndiqet nga një numër i madh shikuesish. Në ndeshjet e fundit të kampionatit të rregullt, me Besën dhe Kastriotin, si dhe në ndeshjen shtesë me Ilirinë, shifrat shkuan nga 2000 deri në 2500 shikues. “Tifozët lushnjarë nuk mungojnë kurrë. Në çdo ndeshje kanë dhënë mbështetjen e tyre, pavarësisht se ne nuk kemi qenë aty ku duhet të ishim. Megjithatë, ata prapë na kanë mbështetur. Imagjinoni nëse do të ishim në vendet e larta të renditjes, besoj se do të shikonim në çdo ndeshje, një stadium të mbushur. Shpresoj shumë që t’ia arrijmë vitin tjetër”, tha Ruço.

“Veterani” i Lushnjës është aktivizuar me Lushnjën, pa i mbushur 18 vjeç. Ai u aktivizua nga trajneri Ilir Gjyla, në ndeshjen Shkumbini – Lushnja 1 – 0, më 18 prill 2009, në Superiore. Tani Lushnja po vuan mungesën e elementit vendas. “Në kohën kur jam aktivizuar unë te Lushnja, vetëm 18 vjeç, atëherë ka qenë një super ekip. Duhet të stërviteshe shumë që të meritoje të luaje në ekipin e parë. Tani nuk e di, nuk ka shumë futbollistë. Mbase me krijimin e kushteve, të fushave, besoj se së shpejti do të vijnë lojtarë lushnjarë, në ekipin e parë. Ta shohim Lushnjën siç e kemi parë më herët. Siç ka qenë më parë, me shumicën e lojtarëve lushnjarë. Nuk ka më mirë se kështu”, tha Ruço.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"