“Leaon do ta ndiqja deri te makina”, mbrojtësi i Interit në delir: Krenar për skuadrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2023 | 14:25

“Leaon do ta ndiqja deri te makina”, mbrojtësi i Interit në delir: Krenar për skuadrën

Denzel Dumfris nuk e ka fshehur krenarinë për arritjen e madhe të Interit, mbi të gjitha pas një paraqitjeje të mirë të tij dhe të gjithë skuadrës. Mbrojtësi që mbulon korsinë e djathtë në mesfushën me pesë të Inzagit, ka pasur një detyrë jo pak të vështirë në duelin e dytë me Milanin, kur i është dashur të ndalë Rafael Leaon, një mision i realizuar me sukses nga holandezi, që për “RTL7” ka treguar emocionet e tij.

dumfris

“Çfarë na bëri të fitojmë? Mendoj se kemi një ekip me shumë përvojë, shumë të vështirë për t’u mposhtur. Ne kemi qenë shumë kompaktë dhe në ndeshjet e mëdha këtë sezon kemi treguar gjithmonë se jemi gati për të luftuar dhe për të vuajtur. Ka qenë një sezon i shkëlqyer në Europë dhe tani do të shkojmë në Stamboll. Është një objektiv i madh për ne, por tani që jemi në finale duhet të synojmë ta fitojmë trofeun. Ky është qëllimi kryesor dhe jemi të fokusuar për ta arritur”, ka thënë Dumfris.

LEAO DHE MBROJTJA – 27-vjeçari u ndal edhe te detyra e tij e veçantë për të ndalur Rafael leaon duke treguar edhe sekretin e Interit sipas tij.

“Puna ime kryesore është të mbroj, veçanërisht në ndeshjet si ajo ndaj Milanit në të cilat duhet të dish të lexosh mirë momentet. Në Itali mëson shpejt të ‘vrasësh’ ndeshjet dhe ne tek Interi jemi me të vërtetë të mirë në këtë. Pastaj “San Siro” është gjithmonë fantastike, ka një atmosferë magjike dhe të bën të shkosh në pilot automatik.

Tifozët janë shumë të rëndësishëm dhe një shtysë e madhe. Unë kisha detyrën të ndalja Leaon dhe ta bëja të padëmshëm. Duhet ta ndiqja deri te makina e tij (qesh).

Është një lojtar i madh, jam përballur shpesh me të në derbe që kemi luajtur. Kam respekt për të, por si unë dhe gjithë skuadra kemi bërë një punë të shkëlqyer për të ndalur jo vetëm atë, por të gjithë Milanin. Jam shumë i lumtur dhe krenar për këtë finale të arritur”, përfundoi Dumfris.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"