“Leao unik”, legjenda Shevçenko thur elozhe për kuqezinjtë: Kjo skuadër më argëton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2023 | 10:00

“Leao unik”, legjenda Shevçenko thur elozhe për kuqezinjtë: Kjo skuadër më argëton

I intervistuar nga kanali zyrtar i Lega Serie A, legjenda e kuqezinjve Andrij Shevçenko, ka folur për momentin e Milanit dhe Rafael Leaos.

SHEVCENKO

Duke komentuar fitoren ndaj Lacios, ukrainasi u shpreh: “Leao ëndërron të bëhet kampion, të lërë gjurmë të rëndësishme në historinë e futbollit, të fitojë disa trofe. Prandaj nuk e krahasoj dot me askënd, sepse mendoj se të gjithë lojtarët kanë diçka brenda dhe kjo është pikërisht ajo që u pëlqen njerëzve.

Rafa ka personalitet të një niveli tjetër, ka atë diçka me të cilën arrin të fitojë dashurinë e njerëzve. Pasioni që ai transmeton, gjestet teknike, driblimet, që njerëzve u pëlqen të shohim në stadium”.

Teksa dy asistet e portugezit u dhanë kuqezinjve fitoren e gjashtë në kampionat, ekipi ruan vendin e parë në Serinë A së bashku me Interin. Sheva nuk bën parashikime, por dukshëm bën tifo për ish-klubin e tij.

“Milani është dhe do të mbetet gjithmonë një pjesë e madhe e jetës sime, një ekip që unë e mbështes shumë, një marrëdhënie që është ndërtuar me tifozët dhe që do të mbetet përgjithmonë, gjithashtu me klubin dhe me njerëzit rreth Milanit. Sigurisht që gëzohem shumë kur fiton, ndaj do të vazhdoj ta ndjek skuadrën dhe ta mbështes”, përfundoi deklaratën e tij Andrij Shevçenko.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"