Largimi i Cungut nga drejtimi i Kombëtares U19, FSHF: Nuk përshtatej me strategjinë e re

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2023 | 17:24

Largimi i Cungut nga drejtimi i Kombëtares U19, FSHF: Nuk përshtatej me strategjinë e re

Federata Shqiptare e Futbollit, ka bërë të ditur një ditë pas ndryshimit të stafeve të ekipeve kombëtare të moshave, se si qëndronte e vërteta me largimin e Armando Cungut nga drejtimi i përfaqësueses U19. Ajo bëri të qartë se me strategjinë e re, të gjithë trajnerët duhej të ishin me kohë të plotë në drejtimin e ekipit dhe jo të kishin edhe angazhime të tjera profesionale.

cungu

Situatë e cila nuk përputhet me sa duket me idetë e Cungut. Si rrjedhojë, marrëveshja mes palëve është ndërprerë, duke i dhënë lamtumirën pas dy vitesh trajnerit i cili në eliminatoret e Europianit të kësaj grupmoshe, ka regjistruar 1 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje.

NJOFTIMI I FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se Armando Cungu nuk do të jetë më trajner i Kombëtares U-19 dhe se përfundimi i bashkëpunimit ka ardhur me konsensus palëve.

Ky vendim ka ardhur si rrjedhojë e strategjisë së re që është duke u implementuar nga Departamenti Teknik në Federatën Shqiptare dhe trajneri e ka pasur të pamundur t’i përgjigjet kriterit ku të gjithë trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave duhet të jenë “full time” të pranishëm në zyrat e Federatës dhe të mos kenë impenjime të tjera profesionale.

Trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave kanë për detyrë të punojnë ngushtë me stafet e tyre teknike çdo ditë të javës për të ndjekur e monitoruar talentet dhe të organizojnë seleksionime e grumbullime. Gjithashtu, trajnerët duhet të kenë një bashkëpunim të përditshëm me kolegët dhe stafet e ekipeve të tjera të moshave dhe me Drejtorinë Teknike të FSHF-së.

Federata Shqiptare e Futbollit gjen rastin të falënderoj Armando Cungun për punën që ka bërë në drejtimin e ekipit Kombëtar U-19 dhe i shpreh vlerësimet maksimale për seriozitetin, profesionalizmin dhe përkushtimin që ka treguar në drejtimin e skuadrës kuqezi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"