Lajme të mira për trajnerin Mehmeti, Dinamo për herë të parë me të gjithë “artilerinë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2023 | 10:20

Lajme të mira për trajnerin Mehmeti, Dinamo për herë të parë me të gjithë “artilerinë”

Për herë të parë këtë sezon Dinamo do të luajë një ndeshjeme të gjithë futbollistët që ka na dispozicion. Përjashtim bën vetëm Redon Danaj, i cili ka kryer një operacion në gju disa ditë më parë dhe kthehet në 2024-ën.

dinamo

Të gjithë futbollistët e tjerë janë në dispozicion të trajnerit Dritan Mehmeti për ndeshjen me Erzenin. Një nga arsyet që blutë kanë mbetur në fundin e tabelës është ajo e mungesave tëvazhdueshme, që për një skuadër të krijuar në pak kohë kanë ndikim të madh.

Ish-trajneri Luixhi Di Biaxho në çdo ndeshje kishte 3-4 mungesa, po ashtu edhe trajneri aktual Mehmeti në tri ndeshjet që ka drejtuar skuadrën. Një situatë që ka sjellë modifikime apo spostim lojtarësh në pozicione të tjera.

Për shkak dëmtimi, mungesat më të rëndësishme kanë qenë ato e kapitenit Rustem Hoxha dhe mesfushorit Fatjon Andoni. Mbrojtësi mungoi në shumë ndeshjetë fazës së parë, kur eksperienca e tij ishte e nevojshme për skuadrën. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Andonin, një nga blerjet më të rëndësishme të Dinamos në merkaton e verës.

Hoxha ka pak javë që është rikthyer, kurse Andoni është gati për titullar që nga ndeshja e nesërme. Po për shkak dëmtimi kanë munguar më parë edhe Patrik Bardhi, Albion Marku në një ndeshje, Erisildo Smaçi, Silvio Vokrri e ndonjë tjetër. Për shkak kartonësh kanë munguar Bakari Gudiabi, Zhoselin Behiratçe, Baton Zabërgja, Blend Krasniqi dhe Indrit Prodani.

ZGJEDHJET

Trajneri Mehmeti në situatën aktuale ka mundësinë të zgjedhë për formacionin ndaj Erzenit. Në të tre repartet ai ka alternative dhe ç’është më e rëndësishme, do të ketë edhe një stol me më shumë kualitet.

Për qendrën e mbrojtjes, për shembull, ai mund të zgjedhë mes Hoxhës, Behiratçes dhe Mesës, me të parët të favorizuar. Për krahun e majtë të mbrojtjes ka tre lojtarë të gatshëm, Prodanin, Allmuçën dhe Lorran.

Më në fund trajneri i bluve është i qetë edhe për qendrën e mesfushës, me rikthimin e Gudiabit dhe Andonit, të cilët mendohet të jenë në fushë nga minuta e parë në “Niko Dovana”.

Për sulmin, të gatshëm janë Denison, Vila, Zabërgja, Kaçorri, Bardhi, Tusha, Karamba dhe Gjoni. Prej tyre do të zgjidhet treshja ose katërshja e formacionit anti-Erzen.

OBJEKTIVI

Kryeqytetasit synojnë vetëm fitoren në ndeshjen e nesërme. Edhe barazimi do të ishte humbje për ta në këtë moment të kampionatit. Dinamo synon të bëjë kapërcimin e shpejtë në renditje dhe kjo arrihet vetëm me 3-pikësha.

Situata është pozitive dhe grupi është i plotë, tani mbetet vetëm që skuadra të shprehë më të mirën e saj në fushë dhe të bindë se meriton shumë më shumë se sa ka marrë deri tani.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"