“Laçi luan tetë finale”, Barjamaj: Me Erzenin meritonim fitoren, ja si dalim nga kjo situatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2024 | 22:00

“Laçi luan tetë finale”, Barjamaj: Me Erzenin meritonim fitoren, ja si dalim nga kjo situatë

Laçi, pavarësisht se dominoi kundër Erzenit në Rrogozhinë, nuk ia doli të shkojë më shumë se një barazim pa gola, i cili është i katërti për këtë sezon mes dy ekipeve respektive. Skuadra e Armando Cungut e dërgon në tetë ndeshje pa fitore ecurinë e rezultateve negative, duke rrezikuar edhe qëndrimin në Superiore.

barjamaj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Mario Barjamaj shprehet se rezultatet e fundit kanë krijuar ngërç psikologjik te kurbinasit. Mesfushori 25-vjeçar shtoi se Laçi ka nevojë për një fitore për të nisur ecuri pozitive.

Barjamaj, Laçi vijon të mos fitojë. Çfarë po ndodh?

Ndiej keqardhje që nuk ia dolëm të merrnim tri pikë kundër Erzenit. Dominuam krejtësisht takimin, por nuk mundëm të shënonim golin që do të na çlironte psikologjikisht. Të vjen keq kur mundi i të gjithë skuadrës nuk shpërblehet në fushën e lojës. Për ne kanë mbetur edhe 8 ndeshje tejet të rëndësishme për të shpëtuar sezonin. Laçi ka kualitet dhe mundësi që të bëjë më mirë, por gjatë gjithë sezonit nuk kemi pasur as fatin me vete.

Patët një mundësi shënimi. Çfarë mund të kishit bërë ndryshe?

Është e vërtetë që pata në këmbët e mia një mundësi që duhet ta kisha shfrytëzuar më mirë. U nxitova për të goditur menjëherë, por Sadiki në vijën fatale më hoqi mundësinë për të festuar. Duhet të isha treguar më i duruar, pasi hapësirë kisha për ta interpretuar ndryshe atë shans. Janë këto mundësi që bëjnë diferencën dhe që ne futbollistët duhet të jemi më të përgjegjshëm për të qenë konkret para portës.

U larguat nga fusha e lojës i dëmtuar, si është gjendja juaj fizike?

Pata një goditje, e cila më dha dhimbje në momentin e parë, por tani jam më mirë. Nuk është diçka me rëndësi dhe besoj se do të vijoj përgatitjet me skuadrën duke filluar nga dita e nesërme. Mendoj që në kushtet ku ndodhemi, pauza e ndeshjeve të kombëtareve do të na ndihmojë që të konsolidohemi në shumë aspekte me qëllim për të qenë gati për tetë finalet që na presin deri në fund të këtij sezoni.

Tetë ndeshje pa fitore. A ndihet presioni për pjesën e mbetur të sezonit?

Natyrisht që presion ndiejmë, pasi Laçi është një skuadër që synon gjithmonë Kupat e Europës dhe ka treguar se ka fituar edhe trofe në sezonet e fundit. Kjo skuadër nuk është ndërtuar të jetë në këto kushte, por realiteti është ky që po jetojmë. Mendoj se bashkë me trajnerin do t’ia dalim të menaxhojmë si duhet ndeshjet që na rezervon kalendari, për të mos rrezikuar asgjë në sfidat e fundit.

Laçi krijon shanse për shënim, por nuk finalizon. Çfarë duhet ndrequr?

Fakti që kemi shumë ndeshje pa fitore na dëmton në aspektin psikologjik. Nuk kemi qetësinë për të vepruar si duhet në momente që mund të zgjidhim një ndeshje. Kjo na ka penalizuar që të gabojmë shumë gjatë kësaj periudhe, duke humbur pikë të çmuara. Jam i bindur që një fitore do na çlironte shumë, pasi ne e njohim kapacitetin tonë dhe gjykoj që i kemi mundësitë për të bërë më mirë.

Do të luani me Partizanin pas kombëtareve, çfarë prisni nga ky duel?

Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, pasi Partizani është një ekip me kualitet dhe një emër i madh i futbollit shqiptar. Ne natyrisht luajmë në fushën tonë dhe do të synojmë maksimumin në këtë përballje. Laçit nuk i lejohen më hapat fals dhe në çdo ndeshje do të mundohemi të bëjmë më të mirën, pavarësisht kundërshtarit dhe fushës se ku luajmë. Për ne pikët janë jetike.

Si e përkufizoni këtë sezon të Laçit?

Një sezon me shumë oshilacione. Jemi hidhëruar në një moment dhe kemi festuar në takime të tjera. Kjo skuadër ka treguar se është e barabartë me këdo, sepse ka marrë rezultate pozitive me të gjithë ekipet pretendente këtë sezon. Jam i bindur që mund të kishim bërë më mirë, por mendoj se mbyllja e sezonit do të bëhet në mënyrë dinjitoze. Shoh te të gjithë shokët e ekipit dëshirën për t’i marrë maksimumin vetes dhe kjo na jep besim se do të arrijmë objektivat tonë.

Kush është lojtari që ju ka inspiruar të luani futboll?

Me ka pëlqyer shumë Eden Hazard. E kam pasur model, pasi për shumë vite ishte një nga më të mirët në botë në rolin e tij.

I. HALILI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"