Kyçi portën e Dinamos, Sali: Meritë e të gjithëve që nuk po pësojmë gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2023 | 15:03

Kyçi portën e Dinamos, Sali: Meritë e të gjithëve që nuk po pësojmë gol

Pavarësisht se meritë për rezultatet e fundit ka gjithë skuadra, Edmir Sali është një nga protagonistët kryesore të Dinamos së ‘re’. Edhe në derbin e djeshëm me Partizanin ai ishte vendimtar për pikën e marrë me të paktën dy pritje shpëtimtare, veçanërisht ajo e devijuar nga Mensah afër fundit të ndeshjes.

SALI

Blutë nuk kanë pësuar gol në 3 ndeshjet e fundit, konkretisht me Kukësin, Erzenin dhe Partizanin, por portieri vlonjat me modesti ia kalon suksesin gjithë grupit. “Falënderoj shokët e ekipit që vrapojnë pa fund dhe ma bëjnë punën më të lehtë në çdo ndeshje. Mbi të gjitha falenderoj Zotin, sepse suksesi varet nga ai”, ka thënë fillimisht Sali për ‘Panorama Sport” pas ndeshjes me të kuqtë.

BARAZIM – Për ndeshjen me Partizanin vlonjati shprehet se Dinamo mund të merrte edhe më tepër se një pikë, por gjithsesi e quan të drejtë barazimin: “Po, mund të kishim marrë edhe më tepër nga kjo ndeshje, duke qenë se na u krijuan mundësitë. Ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat. Ne patëm rastet tona dhe ata të tyret, prandaj do të thosha se barazimi ishte rezultati më i drejtë”, ka shtuar ‘gardiani’ vlonjat.

RRJETA E PAPREKUR – “Nuk është se ka ndonjë sekret të veçantë që nuk kemi pësuar gol në këto tri ndeshjet e fundit të kampionatit. Jemi përmirësuar në këtë drejtim dhe kjo është pozitive për gjithë skuadrën. Ne mundohemi të japim maksimumin të gjithë dhe të ndihmojmë sa më shumë njëri-tjetrin në të gjitha fazat e lojës. E thashë edhe para derbit se ka ndryshuar mentaliteti dhe mënyra e lojës te Dinamo me ndryshimin e stafit teknik. Është shumë e rëndësishme që po marrim rezultate pozitive javë pas jave, sepse na japin më shumë besim. Ndeshja e radhës është gjithmonë objektivi ynë”, ka përfunduar Edmir Sali, titullari i portës blu.

FATJON RUPI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"