“Kupa objektiv”, kapiteni i Skënderbeut: Kemi cilësi, kaq harmoni nuk ka pasur as…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2023 | 9:50

“Kupa objektiv”, kapiteni i Skënderbeut: Kemi cilësi, kaq harmoni nuk ka pasur as…

Pas fitores në kampionat përballë Erzenit, Skënderbeu kërkon të ecë përpara edhe në Kupën e Shqipërisë. Në ndeshjen e nesërme ndaj Turbinës së Cërrikut, ekipi i trajnerit Ivan Gvozdenoviç do të kërkojë kalimin në turin tjetër. Për kapitenin Erlis Frashëri, Skënderbeu ka objektiv kalimin e sa më shumë tureve në Kupë ndaj do të bëjë maksimumin në çdo ndeshje edhe në këtë kompeticion. Sa i takon kampionatit, korçarët ndodhen në vendin e katërt, teksa kapiteni është i bindur se ky pozicion nuk shkakton presion të shtuar për lojtarët, që mendojnë ndeshjen e radhës dhe kërkojnë gjithmonë të marrin maksimumin.

frasheri

Frashëri, fitorja me Erzenin ju mbajti në vendin e katërt. Si ndiheni në këto pozita?

Ka qenë një fitore e rëndësishme për vijimësinë e kampionatit. Kemi bërë detyrën në fushën tonë dhe kemi fituar ndaj një kundërshtari direkt. Ishte një fitore, që tregoi forcën e grupit dhe shpresoj që të vijojmë me këtë ecuri. Jemi në një moment ku çdo ndeshje është e rëndësishme, prandaj duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të përqendruar.

Ajo që bie në sy është luhatja brenda ndeshjes që ka ekipi. Kur themi këtë kemi parasysh Kukësin. Pse ndodh kjo, sipas jush?

Në ndeshjen me Kukësin patëm luhatje të mëdha në pjesën e dytë dhe mendoj se ai ka qenë një nga ato takime, ku nuk ke si ta shpjegosh atë që ka ndodhur. Ka qenë një ndeshje, që e kemi menduar të fituar dhe ky është gabimi kryesor. Sa u takon ndeshjeve të tjera, nuk mendoj se kemi luhatje, por mundohemi të jemi më të kujdesshëm në mbrojtje. Kjo ndoshta vjen edhe nga dëshira për fitore që ka grupi.

E rrit presionin mbi ekipin vendi i katërt në renditje?

Të them të drejtën ne nuk e mendojmë aspak renditjen në këtë moment dhe as e mendojmë “Final 4”. Thjesht jemi të përqendruar për të bërë mirë në këtë moment dhe të ndërtojmë një lojë të rrjedhshme në çdo ndeshje. Kemi një metodë pune që nga java e parë me trajnerin dhe mendojmë vetëm ndeshjen e radhës, asnjëherë më larg se kaq.

Radhën e ka Kupa, a është objektiv për Skënderbeun ky kompeticion?

Normal, për Skënderbeun çdo gjë është objektiv, qoftë kjo Kupa apo kampionati. Ne duam të bëjmë mirë edhe në këtë kompeticion dhe të vijojmë më tej rrugëtimin edhe këtu. Skënderbeu është krijuar për trofe dhe për të ecur samë lart. Kemi cilësi dhe karakter si grup. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të bëjmë sa më mirë.

A mundet Skënderbeu tëpërballojë me suksesngarkesën që sjellin këtokompeticione?

Besoj që po, grupi është i plotë. Janë 25 lojtarë që kanë potencial dhe mund të luajnë pa asnjë problem nga minuta e parë. Grupi është shumë i fortë dhe cilësor. Kjo na jep më shumë besim.

Nga 3-5-2 në 4-2-3-1, ku ndjehet Frashëri më komod?

Për mua rreshtimi dhe pozicioni nuk është problem. Kjo është diçka që i përket trajnerit dhe stafit. Ata mendojnë si është më mirë për skuadrën dhe veprojnë në varësi të kundërshtarit. Mua më takon të bëj detyrën time dhe të jap gjithmonë maksimumin.

Si është atmosfera në ekip?

Atmosfera është shumë e mirë, jemi një grup shumë i mirë. Mund të them sërish që si ky grup me një harmoni të tillë nuk ka pasur ndonjëherë Skënderbeu edhe në kohën kur ka luajtur në Europë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"