Kupa objektiv/ Dinamo me titullarët kundër Orikut, synimi është… Europa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2023 | 9:30

Kupa objektiv/ Dinamo me titullarët kundër Orikut, synimi është… Europa

Kjo javë është pak më e ngjeshur për Dinamon, pasi duhet të luajë dy ndeshje mes kupës dhe kampionatit. Blutë presin sot Orikun në kompleksin e tyre në Arbanë në orën 13:00, në një ndeshje të vlefshme për fazën e 1/16-ve, ndërsa të dielën do të luajë me Vllazninë në transfertë (17:00), për javën e 16-të të kampionatit.

dinamo

Blutë po kalojnë një moment të mirë në lidhje rezultatet, por ngarkesa bën të vetën, aq më tepër që dëmtimet nuk mungojnë në kampin dinamovit. Në këto kushte, stafi teknik duhet t’i bëjë mirë llogaritë.

Dinamo e ka në objektivat e veta të këtij sezoni Kupën e Shqipërisë, një trofe që e ka fituar 13 herë në historinë e saj. Pasi kanë kaluar Ilirinë në turin e dytë, sot kryeqytetasit synojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe ndaj Orikut.

Do të jetë ndeshja e dytë zyrtare që zhvillohet në shtëpinë e bluve dhe vlerësimi është maksimal, pasi është një sistem eliminimi me një takim dhe në rast se koha e rregullt mbyllet në barazim, atëherë do të ketë shtesë dhe penallti, nëse s’ka fitues deri në fund.

Kupa është një shans për Europën dhe Dinamo do të përpiqet ta shfrytëzojë, duke i kushtuar rëndësi të njëjtë me kampionatin.

TITULLARËT NË FUSHË

Duke qenë se kanë pretendime serioze në Kupë, stafi teknik dhe drejtuesit e Dinamos duan të shmangin çdo surprizë të pakëndshme. Edhe pse kundërshtari vjen nga Kategoria e Dytë, sërish blutë nuk duan t’ia komplikojnë gjërat vetes dhe pritet që Dinamo të zbresë në fushë me një formacion miks, me disa titullarë dhe të tjerë që kanë pasur më pak hapësira.

Në portë mund të ketë një rotacion mes Rexhepit dhe Salit, me të parin që pritet të luajë sot. Për mbrojtjen trajneri Mehmeti nuk ka shumë alternativa, pasi Mija dhe Vokrri kanë pasur dëmtime.

Dy lojtarë nga treshja Behiratçe-HoxhaMesa pritet të jenë në fushë që në fillim, ndërsa në të majtë mund të aktivizohet Prodani. Titullarë mund të jenë sot edhe lojtarë si Smaçi, Bardhi apo Tusha, ndërsa pjesa tjetër do të plotësohet me ata që luajnë titullarë në kampionat.

Nëse blutë e zgjidhin shpejt ndeshjen dhe kualifikimin për në turin tjetër të kupës, atëherë mund të marrin minuta edhe lojtarë të tjerë që kanë luajtur më pak.

Ndeshja e sotme mund të jetë njëkohësisht edhe një shans i mirë për zhbllokimin e sulmuesve të ekipit kryeqytetas. Luis Kaçorri, Emiliano Vila dhe Denison Silva kanë javë që nuk po e gjejnë rrugën e rrjetës.

Ndoshta sot mund të “kursehen” lojtarë si Rustem Hoxha, Fatjon Andoni, Lorran dhe ndonjë tjetër. Blutë vijnë pas gjashtë rezultateve pozitive radhazi në kampionat, ndërsa kanë katër ndeshje që nuk pësojnë gol.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"