“Kundërshtari duhet të na druhet”, Memushi: Dua Flamurtar fitues, nga ndeshja me Vorën fillon ‘play off’-i

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 10:00

“Kundërshtari duhet të na druhet”, Memushi: Dua Flamurtar fitues, nga ndeshja me Vorën fillon ‘play off’-i

Eqerem Memushi i ka “sytë” nga “play off”-i. Me Vorën e shikon ndeshje interesante, por nuk i druhet aspak edhe pse një kundërshtar direkt.

EQEREM-MEMUSHI

Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Flamurtarit thotë që me ndeshjen e sotme nisin përgatitjet për “play off”- in. Trajneri pohon, se skuadra nuk duhet të ketë mentalitetin e të mundurit, por duhet të fitojë. Tri ndeshjet në vijim i shikon tregues kryesor për objektivin madhor.

Memushi, luani me Vorën në transfertë, si e shikoni këtë ndeshje?

Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Nuk ka ndeshje të lehta. Të gjitha ekipet janë të vështira. Skuadra është përgatitur seriozisht. Luajmë me një kundërshtar direkt me të cilin mund të përplasemi edhe në zonën e “play off”-it. Jemi përgatitur maksimalisht. Do të hedhim në fushë lojtarët më të mirë. Ata që kanë kondicionin më të mirë. Një pjesë edhe me eksperiencë. Që nesër (sot) fillon përgatitja për ndeshjet e “play off”-it.

Çfarë këshille i keni dhënë skuadrës përpara kësaj ndeshje?

Këshilla dihet. Skuadra duhet që të mësohet me fitoren. Kjo skuadër duhet që të mësohet që mos të mundet, që është e para dhe shumë e rëndësishme në futboll. Nëse nuk mundesh atëherë je më afër fitores. Këto janë këshillat e mia gjatë dy muajve që po drejtoj Flamurtarin. Me këtë jam marrë më shumë, për të ndryshuar mentalitetin e të mosmundurit. Ne nuk duhet të ikim nga fusha asnjëherë të mundur.

I druheni kundërshtarit?

Ne jemi Flamurtari. Kundërshtari duhet që të na druhet ne. (qesh) Jo, jo nuk kemi frikë asnjë skuadër. Ne jemi një klub me traditë si dhe kemi lojtarë shumë cilësorë në përbërje.

E keni studiuar Vorën?

Pa diskutim që e kemi studiuar. E kemi parë me kujdes dhe mendoj se do të kemi një takim shumë interesant. Do të jetë një takim i bukur, i luftuar dhe me rivalitet të lartë.

Por pavarësisht kësaj, “play off”-i mbetet për objektivin apo jo?

Nuk diskutohet fare. Këto ndeshje janë tregues. Sidomos këto 3-4 takimet e radhës që luajmë me Vorën, me Bylisin, me Elbasanin. Janë një tregues shumë i mirë për të parë skuadrën në çfarë gjendje jemi, në çfarë shëndeti është skuadra.

Jeni në presion për objektivin?

Absolutisht jo. Nuk jemi në presion. Nuk ka përse. Punojmë me seriozitet dhe me përkushtim. Skuadra është e angazhuar në stërvitje për të bërë më të mirën. Jam i kënaqur nga puna e lojtarëve. Të luajnë me personalitet dhe të shënojmë, kjo është e rëndësishme.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"