Kumbarçe: Korabi e ka detyrim një vend në gjashtëshen e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2024 | 10:42

Kumbarçe: Korabi e ka detyrim një vend në gjashtëshen e parë

Korabi është pozicionuar në vendin e gjashtë të klasifikimit të Kategorisë së Parë. Ky pozicion i mundëson të tentojë daljen në Superiore. Trajneri Shpend Kumbarçe shprehet optimist kur thotë, se përderisa ekipi dy sezonet pararendëse ka shkuar deri në finale, i ka të gjitha mundësitë ta arrijë elitën.

Kumbarce

Sot dibranët do të udhëtojnë drejt Fierit ku do të luajnë me Apoloninë. Të dy ekipet kanë pikë të barabarta, por Apolonia mban vendin e pestë. Kumbarçe për “Panorama Sport” thotë: “E kemi vlerësuar shumë ndeshjen e radhës ndaj Apolonisë. E kam theksuar edhe më herët, se ne çdo kundërshtar e respektojmë njëlloj dhe në fushë hyjmë për të marrë më të mirën e mundshme. Jemi në një moment që vlejnë shumë pikët. Apolonia ka një ekip cilësor që ka bërë paraqitje të mira këtë sezon. Edhe pse jemi me pikë të barabarta me fierakët, do të bëjmë çmos deri në fund të kampionatit të sigurojmë një vend në gjashtë ekipet e para, pasi ky është objektivi ynë primar.

Prej dy sezonesh shkojmë në finale me ekipet e Superiores, por nuk ia kemi dalë. Do t’ia bëjmë ‘hyzmetin’ deri në fund për të arritur në finalen për një vend në elitë. Mbështetja e tifozëve nuk na ka munguar, si lojtari i dymbëdhjetë. Jemi të kënaqur edhe nga mbështetja e presidencës dhe bashkisë. Janë treguar korrekt nga ana financiare”, tha Kumbarçe.

I vetmi futbollist që do të mungojë në këtë takim është mbrojtësi Skënder Lila, për shkak kartonësh. Pritet që vendin e tij ta zërë Hasa.

kor

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"