Kumbarçe: Jam i kënaqur me afrimet, futbollistët kanë dhënë maksimumin në fazën përgatitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2023 | 20:49

Kumbarçe: Jam i kënaqur me afrimet, futbollistët kanë dhënë maksimumin në fazën përgatitore

Prej disa ditësh Korabi është shpërngulur në Peshkopi për të vijuar fazën përgatitore, aty ku ka gjetur një klimë të mirë dhe kushte optimale për stërvitje dhe akomodim.

kumbarce

Fusha me bar natyral e stadiumit të Peshkopisë është në gjendje të mirë dhe kjo ndihmon shumë skuadrën në këtë periudhë për një përgatitje sa më të mirë fizike, duke u larguar nga terrenet artificiale.

Trajneri Shpend Kumbarçe thotë për “Panorama Sport”, se çdo gjë po shkon sipas parashikimeve. Ai është i kënaqur me kushtet e ofruara dhe gatishmëria e futbollistëve për të dhënë maksimumin e tyre në këtë fazë përgatitore.

“Ndodhemi në Peshkopi për të vijuar fazën, pasi pjesën e parë të saj e zhvilluam në Tiranë. Bashkia e Peshkopisë dhe presidenca na kanë ofruar kushte optimale. Klima këtu është shumë e mirë dhe kjo e plotëson gjithë kuadrin e kësaj faze. Jam i kënaqur edhe sa u takon afrimeve që kemi bërë. Këto ditë mbyllëm bisedimet me Vilfor Hysën, që është një sulmues me eksperiencë. Gjithashtu afruam mbrojtësin e majtë, Xhoel Plaku, që vjen nga Elbasani, si dhe sulmuesin Klajdi Kryemadhi, i cili sezonin e shkuar luajti me Burrelin. Jemi të hapur edhe për ndonjë afrim tjetër, por gjithnjë nëse bën diferencën në krahasim me lojtarët ekzistues”, ka deklaruar dje kreu i pankinës dibrane.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"