Kukësi fiton në fund, Flamurtari për “spital”

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shtator 27, 2015 | 14:03

Kukësi fiton në fund, Flamurtari për “spital”

kukesi1KUKËSI – FLAMURTARI 1-0
Golat:
Lima 86′

KUKËSI: Koçi, Hallaçi, Shameti, Ndoni, Mici, Hasani (Nika 55′), Musolli, Kruz, Flores (Veliu 90′), Moreira, Karioka (Lima 70′) (Në dispozicion: Koliqi, Dhima, Jonuzi, Renaldo Rama). Trajner: Marcelo Troisi
FLAMURTARI: Halili, Fustar, Popkhadze, Idrizaj, Kuqi, Morina (Greca 84′), Nexhipi (Lena 70′), Zeqiri, Hoxha, Tskhadadze (Buval 87′) (Në dispozicion: Xhelili, Shehaj, Maxhuni, Zeqaj). Trajner: Stanislav Levi
KARTONË TË VERDHË: Hasani 21′ / Lena 90+2′ (2)
KARTON I KUQ: Lena 90+2′
VËZHGUES: Myrteza Allkja (Elbasan)
DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)
Gjyqtare: Bardhyl Pashaj, Egin Doda, Melis Dervishi, Sokol Çekaj

Kukësi i kolonisë braziliane vuan, por në fund arrin të marrë trepikëshin, kjo falë golit me kokë të Mateus Limës, i cili e nisi takimin nga stoli. Flamurtari ka marrë një tjetër humbje, por ajo e djeshmja mund të jetë e kushtueshme, pasi trajneri Levi shfaqi probleme shëndetësore. Kukësi-Flamurtari ishte edhe si një përballje ish-ësh, që ishin të shumtë në të dy krahët. Por këta nuk arritën të bëjnë diferencën, pasi goli erdhi nga një brazilian që ndonëse ngroh stolin, ka arritur të zgjidhë dy ndeshje për kuksianët. Fusha e stadiumit “Zeqir Ymeri” ka mbetur sërish tabu për vlonjatët, të cilët në këto katër sezone që ka Kukësi në Superiore, në asnjë rast nuk kanë arritur të fitojnë në transfertë. Fitorja e Kukësit në fund të ndeshjes e ka bërë për “spital” Flamurtarin, ku pacienti i parë mbetet trajneri çek, Stanislav Levi, i cili, në pushim të ndeshjes, pati probleme kardiake, gjë e cila bëri që ai të mos jetë në drejtim në pjesën e dytë.

Pjesa e parë – Takimi nis i fortë, por vlonjatët guxojnë më shumë në minutat e para, ku që në minutën e 5-të Flamurtari ndërmerr një aksion të rrezikshëm në drejtim të portës së vendësve. Të besuarit e trajnerit Levi janë më kërkues dhe e rrisin presionin në drejtim të portës, por portieri Koçi, i cili për tre vite ka qenë zëvendësuesi i Halilit, që në këtë ndeshje ishte në krahun tjetër, e ka mbajtur të paprekur portën. Vlonjatët krijojnë volum loje dhe raste, por sërish del në pah mungesa e finalizimit. Kuksianët, ndonëse shquhen për administrim të lojës, në pjesën e parë nuk arrijnë të gjejnë mënyrën që të shprehen. Kukësi mundohet më shumë të rrezikojë portierin Halili, me goditjet nga distanca dhe nga pozicione standarde. 45-minutëshi i parë mbyllet në shifrat e barabarta 0-0.

Pjesa e dytë – Skuadrat e nisin fraksionin e dytë duke u besuar lojtarëve që hodhën në fushë që në fillim të ndeshjes. Por pjesa e dytë shfaqi një tablo ndryshe nga e para, pasi skuadrat në fushë ndryshojnë pozicion, Kukësi merr administrimin e ndeshjes, gjë e cila erdhi edhe për një tërheqje të Flamurtarit. Në këtë ndryshim situate mbase ka ndikuar edhe problemi shëndetësor që pësoi trajneri Stanislav Levi në dhomat e zhveshjes në momentin që po u jepte direktivat kuqezinjve. Kukësi është më kërkues në lojë duke krijuar raste për shënim. Pas 10 minutash lojë, stafi teknik i verilindorëve vendos të ndryshojë diçka në rreshtim, ku Hasani i lë vendin Nikajt. Duke parë se goli nuk po vinte në minutën e 70- të, Karioka i lë vendin Limës, ndërsa Nexhipi zëvendësohet me Lenën. Zëvendësimet dolën të goditura te Kukësi, pasi goli i fitores u “gatua” nga dyshja e stolit, Nika-Lima. Ka qenë pikërisht shtatlarti brazilian, ai që në minutën e 85-të nderon Kukësin me një gol “të artë”, i cili me kokë arriti të mposhtë portierin Halili. Në minutën e 92-të, Lena ndëshkohet me dy kartonë të verdhë, duke e lënë ekipin me 10 veta, ndonëse gjithçka ishte thuajse e mbyllur me fitoren minimale të kuksianëve.

 





www.minuta90.com