Kukësi kërkon kthesën e madhe në Laç, duel antikrize në fushën ku s’fiton prej 3 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2022 | 9:55

Kukësi kërkon kthesën e madhe në Laç, duel antikrize në fushën ku s’fiton prej 3 vitesh

Laçi-Kukësi mund të cilësohet edhe si derbi i krizës, për vetë faktin se dy prej skuadrave që e kanë nisur si pretendente këtë sezon në Superiore, mbyllin tabelën e klasifikimit pas pesë javëve të para.

kukesi

Presioni për të marrë pikë është i madh te të dyja kampet, por blutë nuk e kanë provuar ende shijen e fitores dhe tri pikët janë kthyer në një detyrim për të besuarit e Dobit, të cilët vijnë me një moral disi më të lartë pas fitores në Kupë ndaj Labërisë.

Pushimi për shkak të ndeshjeve të Kombëtares duket se i ka bërë mirë Kukësit dhe Dobit për të njohur më mirë skuadrën, pasi ka pak ditë që ka marrë drejtimin.

SITUATA Duket se pas fitores në kupë, në Kukës është rikthyer disi qetësia dhe skuadra është ngritur nga ana morale, sepse arritën edhe fitoren e parë këtë sezon në një ndeshje zyrtare.

Në Kukës e kanë parë problemin më shumë në aspektin psikologjik, sepse lojtarët nuk i mungojnë. Për këtë përballje trajneri Dobi do të ketë të gatshëm mesfushorin e sapo afruar Abduo M’bark, por nuk pritet që të nisë titullar në këtë ndeshje.

Një armë plus është edhe rikthimi i mbrojtësit portugez, Tiago Ferreira, i cili ka shlyer dënimin me një javë stop për arsye kartonësh.

Ai që shqetëson më shumë Dobin është sulmuesi Klejdi Daci, i cili po kalonte një formë të mirë, por në ndeshjen me Labërinë la fushën i dëmtuar dhe ka munguar më pas në stërvitje. Me shumë gjasa, sulmuesi do të duhet të bëjë të paktën një javë pushim.

SHIFRAT Kukësi nuk e ka pasur asnjëherë të lehtë të fitojë përballë kurbinasve dhe për më tepër në Laç, me një rivalitet që ka ekzistuar gjatë gjithë kësaj dekade të skuadrave në elitë.

Verilindorët kanë shtatë takime radhazi që nuk ia dalin të marrin dot tri pikët përballë kurbinasve, ndërsa në transfertën e Laçit nuk fitojnë prej gjashtë ndeshjesh.

Fitorja e fundit e bluve në fushën e kurbinasve ka ndodhur në vitin 2019, pikërisht në 10 prill, ku kanë fituar me një gol të Vesel Limajt në minutën e 87-të.

Që nga ajo ndeshje, në gjashtë përballjet e fundit në transfertë, Kukësi nuk ka siguruar dot pikët maksimale. Mbetet për t’u parë nëse të besuarit e Dobit do ta thyejnë këtë ters ndaj kurbinasve, i cili do të bënte njëkohësisht që t’i largoheshin edhe vendit të fundit që mbajnë në kampionat.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"