“Kukësi ka cilësi, jemi të detyruar të luajmë vetëm për fitore”, Vila premton ringritjen e Teutës: Kemi gabuar shumë, por besoj se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2022 | 10:10

“Kukësi ka cilësi, jemi të detyruar të luajmë vetëm për fitore”, Vila premton ringritjen e Teutës: Kemi gabuar shumë, por besoj se…

Teuta është e “dënuar” të fitojë ndaj Kukësit, pasi kërkon me çdo kusht të bëjë reflektim nga ndeshja e humbur me Erzenin dhe për më tepër t’i largohet fundit të tabelës. Kapiteni i Teutës, Emiliano Vila, u shfaq optimist në një intervistë për “Panorama Sport” 24 orë para ndeshjes së javës së 13-të, që do të luhet të dielën. Mesfushori i durrsakëve theksoi se është momenti që skuadra të marrë përgjegjësi dhe të nisë një ecuri pozitive rezultatesh.

EMILJANO VILA

Emiliano, pas pauzës së kampionatit dhe ndryshimit të trajnerit, çfarë mund të presim nga Teuta?

Së pari, shpresoj që çështjen e rezultateve negative ta zgjidhim të dielën ndaj Kukësit. Kemi punuar fortë për të dyja fazat e lojës, qoftë edhe për daljet e shpejta dhe goditjet në portë, ku duhet të jemi më konkret. Është vetëm një moment psikologjik dhe tashmë detyrimi ynë është vetëm të fitojmë ndeshjen. Nëse marrim tri pikë në Kukës, do t’i cilësoja si moment kthese. Unë mendoj se nuk kemi luajtur keq në ndeshjet e fundit, por fati nuk ka qenë me ne në momentet më delikate. Besoj se kthesa do të vijë patjetër.

Fakti që jeni në vendin e fundit, sa e rëndon psikologjikisht kjo situatë skuadrën?

Nuk e shoh të rënduar psikologjikisht ekipin, edhe pse rezultatet të vendosin përpara përgjegjësisë. Të gjithë ne e kuptojmë dhe kemi një dëshirë çdo ditë e më tepër në stërvitje që të bëjmë kthesën në rezultate. Ekipi po punon mirë dhe rezultatet do të vijnë. Të gjithë kemi besim se do t’ia dalim dhe do të rikthejmë Teutën aty ku i takon.

Veç faktit që pësoni shumë gola, nuk po arrini të mbyllni ndeshjet atëherë kur keni momentet më të mira. Si e shpjegoni këtë?

Ne mbrojmë dhe sulmojmë të gjithë, nuk dua të fajësoj sulmuesit për mungesën e golave apo mbrojtësit se kemi pësuar shumë. Nuk është defekt i vetëm një reparti. Nuk duhet të harrojmë që në 12 javë kampionat, s’kemi qenë kurrë të plotë në mbrojtje. I gjithë ekipi duhet të bëjë mirë në fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese.

Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Kukësit?

Normale që na pret një sfidë e vështirë. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet, sepse nga ky grup lojtarësh, vetëm dy sezone më parë jemi shpallur edhe kampionë. Nuk duhet të humbasim besimin aspak.

Edhe kundërshtari i radhës vjen pas një momenti krize…

Edhe Kukësi nuk ka bërë mirë, por për mua mbetet një skuadër e fortë që ka në përbërjen e saj elementë të rëndësishëm. Ne kemi objektivin tonë dhe do të synojmë më të mirën në Kukës.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"