Kukësi i karikuar, Nica elozhe skuadrës para Erzenit: Tani kam… “detyrime”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2023 | 10:20

Kukësi i karikuar, Nica elozhe skuadrës para Erzenit: Tani kam… “detyrime”

Kukësi pret sot në “Kukës Arena” skuadrën e Erzenit, me shpresën për të marrë edhe rezultatin e parë pozitiv në shtëpi. Atmosfera në skuadër duket e mirë, pasi vijnë pas dy ndeshjeve pozitive dhe për më tepër që nuk pësojnë gol. Në prononcimin për “Panorama Sport” para kësaj sfide, trajneri Stavri Nica vlerëson kundërshtarin, i cili jo më kot ka arritur të marrë rezultate pozitive këto javë.

kukesi stavri nica

“Normalisht kundërshtari do një vlerësim maksimal, sepse e ka treguar veten që pikët nuk i ka marrë kot. Ka edhe mbështetje shumë pozitive nga tifozëria e vet, përveç kushteve që u kanë krijuar. Për këtë arsye, është një kundërshtar shumë serioz për të gjithë”, u shpreh fillimisht numri një i pankinës blu.

Skuadra që ai drejton duket se ka rilindur në dy takimet e fundit dhe e gjitha kjo lidhet me optimizmin, të cilën e evidenton vetë tekniku në fjalën e tij. Megjithatë, ekipi duhet të punojë ende shumë për të shkuar ku duhet.

“Djemtë duken optimistë dhe shpresojmë që të vazhdojmë kështu me këtë ecuri. Megjithatë, duhet ta pranojmë që ende skuadra nuk është kristalizuar ashtu si duhet dhe ka vend për punë shumë”, vijoi shkurtimisht Stavri Nica, që mesa duket e ka merak të veçantë edhe anën emocionale në skuadër.

BESIMI – Nica ka besim tek ecuria në vazhdim e ekipit që ai stërvit, sepse sheh tek ata përgjegjësi që kanë marrë mbi supe për ta çuar përpara këtë skuadër. Në një farë mënyre, e “detyrojnë” t’u shërbej sa më shumë atyre.

“Në lidhje me besimin mund të them se përderisa lojtarët kanë marrë përgjegjësi dhe vazhdojnë të mbajnë, duke qëndruar kokë ulur dhe stërvitur fort, është një situatë që të jep besim. Janë të dëgjueshëm dhe mundohen maksimalisht të bëjnë lojën më efektive. Mund të them se ata më kanë vënë mua në një detyrim të madh që t’i shërbej sa më shumë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën tekniku i Kukësit.

Nga java në javë po nis të ndihet dora e Stavri Nicës në pankinë, si përsa i përket lojës, por edhe rezultateve që kanë qenë pozitive në dy javët e fundit.

GRUPI – Pritet që Kukësi të jetë i plotë për ndeshjen e sotme, pasi për momentin nuk raportohet për lojtarë të dëmtuar apo dënuar.

Një mundësi e mirë kjo për trajnerin që të hedhë në fushë lojtarët që kamë në formë për momentin. Gjasat janë që të mos ketë ndryshime nga dy ndeshjet e fundit, pasi duket se formacioni po kristalizohet pak e nga pak dhe Nica po kënaqet nga performanca që po japin lojtarët në fushë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"