Kukësi e ka si finale mbijetese, Devolli: I bindur që mundim Erzenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2024 | 9:11

Kukësi e ka si finale mbijetese, Devolli: I bindur që mundim Erzenin

Bledar Devolli bën debutimin e tij në kampionat si trajner i Kukësit. Blutë do të presin në shtëpi skuadrën e Erzenit, një kundërshtar direkt për mbijetesën.

DEVOLLI

Për verilindorët tanimë çdo ndeshje është si një finale, sepse çdo hap i gabuar i afron edhe me shumë me Kategorinë Parë. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj ndeshjeje, trajnerin Bledar Devolli, e kënaq gjendja e skuadrës, ku ka edhe disa rikthime të rëndësishme me shijakasit.

“Ekipi vjen në gjendje të mirë ku na janë rikthyer edhe dy lojtarë të rëndësishëm për skuadrën, Abdou dhe Lleshi, ku siç dihet i pari ka disa kohë që nuk ka luajtur për shkak dëmtimi. Do të na mungojë Lamçe për kartonë, ndërsa kemi marrë sinjale pozitive nga Rashiti, i cili është grumbulluar me skuadrën. Këto ditë jemi stërvitur mirë, me Partizanin morëm sinjale pozitive, bëmë edhe gabime, që jemi përpjekur t’i punojmë më stërvitje dhe t’i eliminojmë”, u shpreh fillimisht tekniku i Kukësit.

OBJEKTIVI – Në lidhje me objektivin për sfidën me Erzenin, Devolli ka besim se do të dalin me tri pikë. “Kam shumë besim se do t’ia dalim në këtë ndeshje. E shoh në stërvitje, djemtë kanë entuziazëm, seriozitet dhe mezi po e presin ndeshjen. Këto janë sinjale pozitive për trajnerin, duke shpresuar njëkohësisht që të kemi edhe pak fat. Duhet të jemi agresivë në të dyja pjesët e lojës”, vijoi më tej kreu i pankinës blu, që pret të dalë me maksimumin e pikëve nga “Kukës Arena.

Në lidhje me motivimin që i ka dhënë ekipit gjatë këtyre ditëve, Devolli pohon se është punuar shumë edhe nga ana psikologjike.

“Ne kemi punuar shumë edhe nga ana psikologjike, pastaj e pamë që edhe me Partizanin nuk është se na dominuan dhe pat diferenca të mëdha. Edhe rastet e tyre ishin më shumë për gabimet tona. Ne thjesht na duhet të eliminojmë sa më shumë gabimet”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën Bledar Devolli.

46-vjeçari e ka marrë skuadrën në vendin e fundit dhe në një gjendje gati të pashpresë sa i përket mbijetesës, por gjithsesi besimi se mund t’ia dalë me Kukësi nuk i mungon. Blutë kanë plot 14 ndeshje që nuk fitojnë në kampionat dhe me Erzenin presin të thyejnë edhe tersin.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"