Kukësi do revansh përballë maces së zezë, verilindorët luajnë “finalen” e mbijetesës të dielën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2023 | 11:20

Kukësi do revansh përballë maces së zezë, verilindorët luajnë “finalen” e mbijetesës të dielën

Nëse Kukësi do të kishte mundësinë të zgjidhte një kundërshtar që ta evitonte në këto momente, do të ishte pikërisht Teuta. Durrsakët janë kthyer në një “mace të zezë” për ta, duke i sjellë shumë dëme dhe duke e larguar nga të gjithë objektivat këtë sezon. Dhe, pikërisht në momentin ku skuadrës i duhet patjetër fitorja, përballë do të kenë ekipin që kanë harruar ta mundin në kampionat, pasi prej 13 takimesh radhazi nuk i kanë provuar tri pikët.

teuta_kukesi_abissnet_superiore_2022

DËMET  Nga ana tjetër, Teuta është ekipi që i nxori jashtë garës në luftën edhe në Kupë, duke i eliminuar në çerekfinale, pa harruar që dy takimet midis tyre patën edhe problematikat sa i përket gjykimit nga ana kuksianëve.

Si për ironi të fatit, edhe pse Kukësi fitoi në kupë dhe theu mallkimin, në fund nuk i vlejti për asgjë për aq kohë sa u eliminua nga ky kompeticion që e kishin si objektiv për t’i shkuar deri në fund.

Sakaq, dy trajnerët që kanë dhënë dorëheqjen gjatë këtij sezoni, Gega dhe Dobi, e kanë bërë këtë pikërisht pas ndeshjeve me Teutën në fazën e parë dhe të dytë, duke futur edhe më në stres drejtuesit.

Trajneri aktual, Rraman Hallaçi i mbijetoi në fazën e tretë, edhe pse skuadra humbi, kjo për faktin se në atë kohë Kukësi u rikthye te paraqitjet dhe rezultatet pozitive.

Me pak fjalë, durrsakët janë skuadra që i ka shkaktuar shumë probleme në të gjitha aspektet Kukësit këtë sezon.

I nxori nga Kupa, i largoi trajnerët dhe tani mund t’i japë një shtysë për t’i rrëzuar edhe nga kategoria, çka do të ishte akoma edhe më e rëndë. Për këtë arsye, në Kukës e shohin si një finale më vete, e cila duhet fituar me çdo kusht.

REVANSHI – Megjithatë, në Kukës mendojnë se nuk është asnjëherë vonë për të bërë revanshin dhe për të lënë pas të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur si shkak i mosmarrjes së rezultatin me Teutën.

Në kampin verilindor, edhe pse vijnë pas pesë ndeshjesh që nuk fitojnë në kampionat, besojnë se do të thyejnë tersin ndaj Teutës dhe t’u largohen përkohësisht vendeve të fundit dhe këtë javë të jenë më të qetë.

Fakti që ndeshja do të luhet në “Kukës Arena”, te blutë e shohin me pozitivitet për të marrë maksimumin, sepse në shtëpinë e tyre ndihen më të fortë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse revanshi që pritet do të vijë të dielën në orën 15:00 apo Teuta do të vijojë të shkaktojë dëme.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"