Kukësi do lojtarë nga Superiorja, Baio vijon provën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2012 | 13:39

Kukësi do lojtarë nga Superiorja, Baio vijon provën

Kukësi ka marrë pushimet, ndonëse stafi teknik dhe drejtuesit e presidencës janë ende në dilemë për një miqësore më datë 28, gjithnjë nëse do mund të gjejnë një ekip me të cilin të mbyllin vitin më të suksesshëm të historisë 82-vjeçare të FK Kukësit. Miqësorja e fundit me Partizanin nuk dha ndonjë mendim përfundimtar për sulmuesin Suleiman Baio, megjithëse ky i fundit ishte autor i një goli me kokë. Gjithsesi, drejtuesit teknikë kërkojnë ta kenë sërish në provë pas Vitit të Ri lojtarin e ardhur nga Kategoria e Dytë e kampionatit portugez, ndërkohë që bashkëpatrioti i tij nga Guinea, Moisies, është larguar që me provën e parë me Olimpikun, pasi nuk ka bindur. Në kampin kuksian presin një sulmues apo mesfushor që të bëjë dallimin dhe të jetë mbi nivelin aktual të lojtarëve të formacionit bazë që ka Kukësi. Publikisht, krerët veriorë kanë deklaruar cilësitë e lojtarëve që kërkojnë pa cituar emra konkretë, ndërkohë që pas Vitit të Ri pritet që menaxherët e futbollit të trokasin në dyert e klubit dhe me lojtarë nga kampionati italian, duke mos përjashtuar edhe ndonjë surprizë në Superiore. Për Kukësin do të ishte më komode që të gjente lojtarë nga Superiorja shqiptare, për arsye se rregulloja nuk lejon që në një ndeshje të luajnë më shumë se pesë lojtarë të huaj njëherësh. Aktualisht Kukësi ka në formacionin bazë pesë të huaj, pikërisht Popoviç, Malakarne, Biskup, duke përfshirë dhe dy kosovarët Musolli e Hoxha. E në këto kushte, një apo dy të huaj të tjerë do të prishnin ekuilibrat aktualë.
Jonuz Hallaçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"