Kujdes Juve, Turam shënon gola me peshë. “Torinezi” Markus rikthehet dhe kërcënon ekipin e babait

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2023 | 17:16

Kujdes Juve, Turam shënon gola me peshë. “Torinezi” Markus rikthehet dhe kërcënon ekipin e babait

Ajo e nesërmja nuk do të jetë një e di elë si gjithë të tjerat për Markus Turamin. Lagjja “Crocetta” në Torino, makaronat, shkolla, parku, topi i parë që duhet ndjekur me miqtë pasditeve dhe mbrëmjet në shtëpinë Del Piero. Duke u rritur në Torino, ëndrra e Markusit ishte padyshim të bëhej si babai i tij, një kampion, jo vetëm për shkak të dashurisë për të atin, por edhe sepse të tillë ishin ata që e rrethonin, nga stadiumi te kapiteni Aleks që e ftonte në shtëpi.

turam

“Tikus” kthehet në Torino, në qytetin ku babai Lilian fitoi dhe u argëtua. Dhe këtë herë kundër skuadrës së të atit, kundër atyre ngjyrave që pa herën e parë kur hyri në një stadium, bardh e zi. Sot ama, Turam rimon me Interin dhe deri më tani edhe me titullin.

ECURIA – Nëse dikur si një fëmijë ishte burim argëtimi në tavolinat bardhezi, sot është burimi i dhimbjes së kokës së Alegrit. Markusi është përshtatur në mënyrë fantastike me kampionatin italian, në pak muaj të tij në Serinë A. Francezi erdhi si ai që duhet të mbushte hapësirën e lënë bosh nga Romeu Lukaku, një trashëgimi jo e lehtë, por ka treguar se e ka bërë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke lënë pas madje belgun. Në një vëzhgim të “Sky Sports”, Turami, ka qenë ai që ka shënuar më shumë gola vendimtar në këtë kampionat, plot 4 të tillë.

Me gola vendimtar përkufizohen ata gola që në fund kanë vlejtur pikë, jo vetëm ata që kanë shërbyer për 1-0 kur ndeshja ka përfunduar me këtë rezultat, por që kanë ndikuar në rezultat. Për shembull, i tillë konsiderohet goli i 2-0 kur ndeshja ka përfunduar 2-1, ashtu si goli i tretë i skuadrës në një ndeshje të përfunduar 3-2. Për t’iu kthyer Turamit, sulmuesi i Interit është ai që ka shënuar më shumë gola të tillë (4), në ndeshjet ndaj Romës (1-0), Milanit (goli i dytë në 2-1 e përkohshëm, me ndeshjen që përfundoi 5-1), Torinos (goli i parë në 0-3) dhe Fiorentinës (goli i parë në 4-0).

Pas tij renditet paraardhësi i tij, Romelu Lukaku, me 3 gola me peshë, shoku i tij i repartit Lautaro Martinez, me po kaq gola. Në të njëjtën kuotë golash (3) është edhe ylli i Napolit Viktor Osimhen. Turami ka lënë pas edhe milanistët Leao, Zhiru e Pulisiç, që kanë shënuar nga 2 gola vendimtarë dhe nesër synon ta thellojë edhe më shumë hendekun me ndjekësit në këtë drejtim. Mbrojtja bardhezi dhe Alegri janë të paralajmëruar, ashtu si gjithë Juventusi i babait të tij, me Lilianin, që këtë herë do të jetë i detyruar të jetë tifoz për rivalët e “zonjës” së tij.

Përgatiti: NISLI GJINI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"