“Kujdes Apoloninë, të mos e pësojmë si Dinamo”, Gvozdenoviç porosit skuadrën: Të bashkuar ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2023 | 9:35

“Kujdes Apoloninë, të mos e pësojmë si Dinamo”, Gvozdenoviç porosit skuadrën: Të bashkuar ia dalim

Te Skënderbeu nuk e kanë luksin të gabojnë dhe të qetësohen. Janë vërtet të parët, por ende nuk është se e kanë marrë me “tapi” dhe gara deri në finish pritet që të jetë e ashpër. Çdo gabim mund të lejonte Dinamon ose Flamurtarin që të rikuperonte dhe në Korçë nuk kanë në plan që të hapin rrugë.

gvozdenovic

Këtë e thekson edhe Ivan Gvozdenoviç, në prag të ndeshjes me Apoloninë. Kundërshtarin e presin pikërisht sot në shtëpi dhe llogaritë bëhen vetëm e vetëm me fitoren, ndaj trajneri kërkon që ndeshja të interpretohen me përgjegjësi dhe motivim maksimal.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, serbi pret që lojtarët të shmangin mbi të gjitha presionet artificiale dhe të bëjnë detyrën në fushë.

“Kemi pasur kohën e nevojshme për të përgatitur ekipin për këtë takim. Jo vetëm në anën sportive, por edhe psikologjikisht. Kam biseduar me djemtë dhe i kam kërkuar që të jenë të qetë dhe të shmangin presionet artificiale, që në këtë pikë të garës janë të natyrshme dhe vijnë si rezultat i garës së fortë që po bëhet mes tre ekipeve pretendente. Por, për mendimin tim, është një garë e cila do të zgjasë deri në javën e fundit të kampionatit, ndaj kemi për detyrë të shohim vetëm rrugëtimin tonë. Jemi ne ata që e gjetëm Skënderbeun larg kreut dhe e sollëm deri këtu vetëm, sepse kemi një grup të bashkuar dhe nuk shohim pas në asnjë moment. Ndaj le të vazhdojmë kështu dhe të bëjmë më të mirën tonë në çdo ndeshje, duke i vlerësuar kundërshtarët dhe duke i marrë takimet njëri pas tjetrit me respektin maksimal për veten dhe fanellën që mbajmë të veshur”, theksoi fillimisht numri një i stolit.

APOLONIA – I ndalur te takimi i javës së 21-të, trajneri i Skënderbeut kërkoi kujdes të veçantë ndaj një kundërshtari që e cilësoi të frikshëm. Ai pranon se ka analizuar gjerësisht lojën e Apolonisë, por duhet që përqendrimi të jetë i madh në fushë pasi është një ekip që të dëmton atëherë kur nuk e pret.

“Apolonia është një kundërshtar për t’u respektuar dhe një ekip me traditë, që e njeh mirë se si funksionon kjo kategori. Ndaj edhe për këtë kërkon një impenjim maksimal nga ana jonë. E kemi studiuar kundërshtarin dhe duhet të jemi të kujdesshëm që të mos pësojmë ashtu siç e pësoi Dinamo para pak javësh. Kjo na vë në alarm që të mësojmë nga gabimet e të tjerëve dhe të japim më të mirën në këtë takim. Është një ndeshje që vlen trui pikë dhe tri pikët janë detyrim”, përfundoi trajneri i Skënderbeut.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"